Kumrie Zika, 39 vjeçe, e njohur më herët në publik si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështjet e tregut të punës, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se është përfshirë në një seri vjedhjesh në biznese të ndryshme.
Sipas Policisë, 39-vjeçarja përdorte të njëjtën skemë: punësohej në subjekte që kërkonin punonjës dhe, pasi fitonte akses në ambientet dhe arkën e biznesit, dyshohet se vidhte xhiron ditore.
Kumria e Tiranës nuk bën më ”Ku, kuu, kuuu”! Arrestohet nga policia
Në kuadër të hetimeve për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë bërë të mundur arrestimin e saj.
Një prej rasteve më të fundit dyshohet se ka ndodhur më 5 gusht, kur Zika ka marrë rreth 5 milionë lekë në një pikë këmbimi valutor në Vlorë.
Ndërkohë, më 15 korrik, ajo dyshohet se ka vjedhur rreth 5 mijë euro në një pikë këmbimi valutor dhe transfertash parash në zonën e “Varrit të Bamit”, ku ishte punësuar dhe kishte nisur punën vetëm atë ditë.
Sipas të dhënave të hetimit, 39-vjeçarja ishte duke punuar së bashku me një punonjës tjetër. Në një moment, kur kolegu i saj u shkëput për disa sekonda, ajo dyshohet se ka marrë paratë nga arka dhe është larguar në rrugicat e zonës.
Pas njoftimit të policisë nga biznesi i dëmtuar, efektivët kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e saj në zonën e “21 Dhjetorit”.
Policia dyshon se Zika është e përfshirë në disa raste të ngjashme. Referuar njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për gjashtë raste të dyshuara, ku ajo dyshohet se ka vjedhur xhirot ditore të pesë bizneseve në territorin e Komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 2.
Kumrie Zika është shfaqur më herët në media si eksperte punësimi dhe opinioniste, duke komentuar çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës. Tashmë, emri i saj është përfshirë në hetimet e policisë për një seri të dyshuar vjedhjesh në biznese.
Hetimet për dokumentimin e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësive vijojnë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.
Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

