Anulohet tenderi 4.59 mld lekë për hemodializën.
Agjencia e Prokurimeve ka publikuar zyrtarisht anulimin e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, me një marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 48 muaj.
Procedura, me fond limit prej rreth 4.59 miliardë lekësh, ishte shpallur më 17 gusht 2026 nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), shoqëri me zotërim publik. Tenderi ishte zhvilluar me procedurë të hapur, mbi kufirin e lartë monetar.
Në garë kishte marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, Diaverum AB, i cili u shpall fitues më 10 shtator 2026. Në njoftimin e fituesit ishte përcaktuar se nuk zbatohej periudha e pritjes, në përputhje me parashikimet e Ligjit për Prokurimin Publik.
Megjithatë, procedura tashmë është anuluar zyrtarisht në sistemin e prokurimeve. Arsyeja e përcaktuar në njoftimin e anulimit është: “Procedura është anuluar për shkak të konstatimit të gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit.”
Anulimi formal vjen pas deklarimeve të mëparshme publike nga Ministria e Shëndetësisë për anulimin e kontratës.
Në fokus është edhe vetë OSHISH, shoqëria publike e krijuar më 15 janar 2026, e cila gjatë javëve të fundit ka pësuar ndryshime në statut, objektin e veprimtarisë, kapacitetet dhe drejtimin.
Kështu, procedura për një nga kontratat më të mëdha të shërbimit të hemodializës në vend mbyllet pa u finalizuar, ndërsa autoritetet kanë referuar si shkak zyrtar mangësi të konsideruara të rëndësishme në dokumentet e tenderit

