Një hard-disk i dëmtuar, një kamerë për të cilën gratë e përfshira në dosje thonë se nuk kishin dijeni dhe një seri videosh intime të shpërndara pa autorizim. Skandali që ka në qendër kompozitorin Adi Hila tashmë është në duart e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimi do të drejtohet nga prokurori Julian Xhengo.
Adi Hila
Rasti është referuar nga Policia e Tiranës për veprat penale që lidhen me ndërhyrjen e padrejtë në jetën private dhe përdorimin e paautorizuar të pajisjeve. Ndërkohë, në dosje është shtuar edhe një tjetër akuzë: veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Një prej elementëve kryesorë të hetimit është hard-disku i sekuestruar në studion e kompozitorit. Sipas hetuesve, pajisja është gjetur e dëmtuar. Vetë Hila ka deklaruar se e ka shkatërruar hard-diskun, duke argumentuar se kishte frikë se ndërhyrja ndaj tij mund të vazhdonte.
Në dëshminë e tij, kompozitori pretendon gjithashtu se kamera e vendosur në ambientet e studios mund të jetë hakeruar dhe për këtë arsye ka kërkuar që kjo pistë të hetohet.
Hetimi/ Adi Hila shkatërroi hard-diskun e kamerës që regjistroi pamjet
Por pikëpyetjet më të mëdha lidhen me dijeninë dhe pëlqimin e grave që shfaqen në videot intime.
I pyetur nëse ato e dinin se po filmoheshin, Hila nuk ka deklaruar se kishte marrë pëlqimin e tyre për regjistrimin. Në vend të kësaj, ai ka argumentuar se kamera ishte aq e madhe sa, sipas tij, gratë nuk mund të mos e kishin parë.
“Nuk ka qenë ndonjëherë temë bisede mes nesh. Pra nuk më kanë pyetur, por kamera në fjalë është aq e madhe sa nuk ka mundësi të mos ta kenë parë”, është shprehur ai.
Ky qëndrim bie ndesh me deklarimet e grave të marra në pyetje nga policia, të cilat kanë mohuar se kishin dijeni për ekzistencën e kamerave.
Këngëtarja Eli Fara ka deklaruar se nuk kishte dijeni që në studio kishte kamera të instaluara dhe ka kërkuar hetimin e personave që kanë regjistruar dhe më pas shpërndarë videot pa autorizimin e saj.
Edhe aktorja Monika Lubonja ka bërë publike se ka depozituar një kallëzim penal ndaj Adi Hilës. Ajo pretendon se është filmuar pa pëlqimin e saj dhe e ka cilësuar kompozitorin si “të pabesë”.
Një tjetër emër që del në deklarimet e Hilës është Elton Tozaj. Kompozitori pretendon se Tozaj ka zhvilluar një fushatë të gjerë për shpërndarjen e materialeve, ndërsa thotë se nuk është në dijeni të motivit të tij dhe se nuk ka pasur më herët njohje apo konflikte me të.
Tashmë hetimi i Prokurorisë së Tiranës do të duhet të zbardhë disa prej pikëpyetjeve kryesore të dosjes: kush ka siguruar dhe shpërndarë videot intime, nëse gratë kishin dijeni për regjistrimin dhe, mbi të gjitha, çfarë përmbante hard-disku përpara se të dëmtohej.
Prokurorit Julian Xhengo i mbetet të verifikojë të gjitha këto rrethana dhe të përcaktojë përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.

