Pas shkarkimit të Vlorë Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, kanë nisur diskutimet për emrin që do të marrë drejtimin e institucionit të sigurisë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se zgjedhja e kreut të ri të SHISH-it do të bëhet në konsultim me Presidentin Bajram Begaj, ndërsa deri në emërimin e drejtuesit të ri, institucioni drejtohet përkohësisht nga Elvis Lila.
Në politikë kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të mundshëm.
Një prej emrave të përmendur është Ilir Gjoni, ish-ambasador i Shqipërisë në NATO. Krahas tij është përfolur edhe Eduart Merkaj, aktualisht drejtues i Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është prania e Ilir Gjonit në krah të kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri. Gjoni qëndroi gjatë gjithë takimit pranë Ramës, në një moment kur emri i tij po qarkullon si një prej kandidaturave për drejtimin e SHISH-it. Prania e tij në këtë takim mund të shihet edhe si një mundësi për t’ua prezantuar amerikanëve një prej emrave që po shqyrtohen për postin e kreut të shërbimit sekret shqiptar, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se pjesëmarrja e Gjonit ka qenë e lidhur me këtë kandidaturë.

Sipas analistev në diskutim është edhe mundësia që drejtimi i SHISH-it t’i besohet një ambasadori që do të rikthehej nga shërbimi diplomatik. Në listën e mundësive është përmendur gjithashtu edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila.
Emërimi i kreut të ri vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për institucionin, pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimit nga detyra të Vlorë Hysenit, në kuadër të hetimit të SPAK.
Hyseni u lirua nga detyra nga kryeministri Rama më 22 shtator, pasi Gjykata e Posaçme caktoi ndaj saj masën e arrestit në shtëpi. Çështja lidhet me hetimin e SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Ndërkohë, hetimi ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it ka sjellë edhe debat mbi sigurinë kombëtare dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. Rama e ka cilësuar masën e marrë ndaj Hysenit si “ekstreme”, ndërsa ka deklaruar se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund.
Tashmë vëmendja është te zgjedhja e pasardhësit të saj. Deri në këto momente, emrat e përmendur publikisht janë kandidatura të raportuara nga mediat dhe ekspertë të fushës, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar për personin që do të propozohet për drejtimin e SHISH-it.
Ilir Gjoni, ish-ambasador i Shqipërisë në NATO;
Eduart Merkaj, drejtuesi i Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve;
një ambasador, emri i të cilit nuk është bërë publik;
si mundësi është përmendur edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila.

