Uljan Shpataraku ka mohuar të ketë pasur dijeni se personi që mori në makinë gjatë rrugës për në Durrës ishte Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga drejtësia. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se e kishte marrë rastësisht në rrugë, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar se provat e administruara deri në këtë fazë ngrenë dyshime të arsyeshme se transportimi nuk ka qenë i rastësishëm.
Sipas deklarimeve të Shpatarakut, ngjarjet kanë nisur gjatë natës, kur djali i tij i madh, i cili ndodhej te vjehrri në zonën e Kënetës në Durrës, kishte pasur temperaturë të lartë. Ai ka deklaruar se kishte marrë bashkëshorten dhe kishte shkuar te vjehrri, ndërsa të nesërmen ishte nisur drejt Elbasanit.
Shpataraku ka treguar se kishte marrë në përdorim një automjet Audi A6, të cilin ia kishte dhënë një shoku i tij, i identifikuar me emrin “Tomi” ose “Toni”. Sipas tij, makina e tij kishte probleme dhe herë pas here nxehej, ndaj kishte vendosur të përdorte automjetin e mikut.
“E mora afër Kënetës”, ka deklaruar ai, duke shtuar se më pas ishte nisur direkt për në Elbasan.
Por pikërisht itinerari i automjetit është një prej pikave ku dëshmia e tij bie ndesh me të dhënat e vëzhgimit policor.
“E mora në rrugë, nuk e dija se ishte Agasi”
Shpataraku ka deklaruar se gjatë kthimit nga Elbasani, nëpërmjet rrugës së vjetër, një person i kishte bërë shenjë për ta marrë në makinë.
Sipas tij, personi ishte me mjekër, kapele, pantallona të shkurtra dhe shapka.
“Rrugës në Elbasan dikush në rrugë më ka ngritur dorën dhe, i zënë nga kurthi i moralit, e kam marrë në makinë”, ka deklaruar ai.
Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte personin dhe se vetëm më vonë kishte mësuar se bëhej fjalë për Ergys Agasin.
Ai ka treguar se gjatë udhëtimit Agasi i kishte thënë se quhej “Berti” dhe se merrej me dyer alumini.
“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinë me mjekër, me kapele, me shapka”, ka deklaruar Shpataraku.
Sipas tij, ai nuk kishte arsye të dyshonte se personi që kishte marrë në makinë ishte një person i shpallur në kërkim.
Shpataraku: Shkova në Elbasan për të pirë kafe me dy miq
Në dëshminë e tij, Shpataraku ka mohuar gjithashtu se kishte shkuar në Elbasan për të shoqëruar Agasin.
Ai ka deklaruar se kishte udhëtuar drejt qytetit për të takuar dy miq dhe për të pirë kafe.
“Po është e vërtetë, kam shkuar në Elbasan. Kam shkuar, kam takuar dy miq të mi, kam pirë kafe dhe jam kthyer nga Elbasani”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qëndrimi në Elbasan kishte zgjatur rreth dy orë dhe kafenë e kishte pirë në një lokal pranë hyrjes së qytetit, që sipas tij quhej “Renato” dhe kishte edhe servis makinash.
Ai ka mohuar të ketë ndaluar gjatë rrugës për në Elbasan, duke kundërshtuar të dhënat e raportit të vëzhgimit.
“Jo, nuk jam ndaluar fare, direkt në Elbasan. Nuk është raporti i vëzhgimit i saktë”, ka deklaruar Shpataraku.
Automjeti ishte në shitje
Në dosje është administruar edhe dëshmia e pronarit të automjetit me të cilin udhëtonte Shpataraku.
Kadri Guza, i cili merret me tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve në Shijak, ka deklaruar se Audi me targë AB 323 JK ishte në pronësi të tij.
Sipas Guzës, automjeti ishte nxjerrë në shitje dhe më 24 gusht 2026, rreth orës 15:00, një person i identifikuar me emrin e dhënë në dosje si “*” ishte interesuar për ta blerë.
Guza ka deklaruar se e njihte personin nga televizioni dhe se ia kishte dhënë automjetin për ta provuar, me qëllim që ta çonte në servis dhe më pas të kryhej procedura e shitjes për shumën 15 mijë euro.
Më vonë, sipas tij, ai kishte parë në lajme se personi ishte arrestuar dhe se ishte kapur me automjetin e tij Audi.
Pronari ka deklaruar se nuk njihte as Shpatarakun dhe as Ergys Agasin.
Gjykata: Automjeti u pa fillimisht në kompleksin ku qëndronte Agasi
Një prej elementëve që gjykata i ka konsideruar të rëndësishëm është fakti se automjeti që Shpataraku pretendon se e kishte marrë për të shkuar në Elbasan është konstatuar fillimisht në kompleksin ku ishte lokalizuar Ergys Agasi.
Sipas arsyetimit të gjykatës, menjëherë pas daljes së Agasit nga kompleksi, automjeti është konstatuar duke lëvizur me një person në sediljen e pasagjerit, i cili më pas është identifikuar pikërisht si Ergys Agasi.
Kjo rrethanë, sipas gjykatës, nuk përputhet me versionin e dhënë nga Shpataraku se ai e kishte marrë Agasin rastësisht gjatë kthimit nga Elbasani.
Gjykata vlerëson se mospërputhja mes dëshmisë dhe të dhënave të vëzhgimit, e marrë së bashku me rrethanat e tjera të çështjes, krijon një bazë për dyshimin e arsyeshëm se marrëdhënia mes Shpatarakut dhe personit që ai transportoi mund të ketë qenë e ndryshme nga ajo që ai ka përshkruar.
Pesë orë pa vëzhgim, gjykata kërkon hetime të tjera
Një tjetër pikë e rëndësishme e evidentuar nga gjykata është ndërprerja e vëzhgimit policor.
Sipas vendimit, vëzhgimi ka nisur në Durrës, në zonën ku dyshohej se strehohej Agasi, ka vijuar në drejtim të Elbasanit dhe më pas është rikthyer drejt Durrësit.
Por raporti i vëzhgimit nuk është i pandërprerë.
Gjykata evidenton se vëzhgimi është ndërprerë në orën 13:35 dhe ka rifilluar në orën 18:16. Pra, për rreth pesë orë nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta nga vëzhgimi policor mbi lëvizjet e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.
Për këtë arsye, gjykata ka kërkuar që hetimi të orientohet edhe në drejtim të zbardhjes së asaj që ka ndodhur gjatë këtij intervali.
Në mënyrë të veçantë, gjykata sugjeron administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në mjedise publike, verifikimin e lokacionit të personave përmes të dhënave të telefonave të sekuestruar dhe gjetjen e marrjen në pyetje të personave që Shpataraku pretendon se ka takuar në Elbasan.
“Transportimi nuk ka qenë i rastësishëm”
Në përfundimin e saj, Gjykata e Shkallës së Parë vlerëson se të dhënat e administruara deri në këtë fazë mbështesin dyshimin e arsyeshëm se Uljan Shpataraku ka kryer një veprim konkret transportimi të Ergys Agasit, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ndaj të cilit ishte caktuar masa “arrest në burg”.
Gjykata e konsideron veçanërisht të rëndësishme faktin që automjeti është parë në kompleksin ku qëndronte Agasi dhe, menjëherë pas largimit të tij, është konstatuar me Agasin në sediljen e pasagjerit.
Për gjykatën, kjo rrethanë, në kombinim me të dhënat e tjera, krijon dyshimin se transportimi nuk ka qenë një takim i rastësishëm në rrugë, siç pretendon Shpataraku, por mund të ketë qenë një veprim i orientuar drejt favorizimit të Agasit për t’iu shmangur kapjes ose arrestimit.
Megjithatë, gjykata ka nënvizuar se hetimi vijon dhe se duhet të kryhen veprime të tjera hetimore për të sqaruar veçanërisht periudhën rreth pesëorëshe kur vëzhgimi policor është ndërprerë.
Në këtë fazë, versioni i Shpatarakut mbetet se ai nuk e njihte Agasin, e mori rastësisht në makinë dhe nuk kishte dijeni se transportonte një person të shpallur në kërkim. Nga ana tjetër, provat e vëzhgimit dhe mospërputhjet e evidentuara nga gjykata janë ato që kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm për një rol të qëllimshëm në transportimin e tij.

