Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka deklaruar në Kuvend se, pavarësisht rezervave të tij për Reformën e re Territoriale, do t’i bashkohet qëndrimit politik të Grupit Parlamentar të PS-së.
Berisha sulmon Vullnet Sinaj: Big Market yt i mbushur me mallra të skaduara
Sinaj tha se mendimi i tij është në minorancë dhe theksoi se mbështetja e tij për reformën nuk përbën një “çek të bardhë”. Ai kërkoi gjithashtu që reforma të përmirësohet, veçanërisht për zonat malore.
Deklaratat e Sinajt kanë sjellë reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili nga foltorja e Kuvendit e kritikoi ashpër deputetin socialist.
“E dëgjuat deputetin tuaj se si brenda tre ditëve u shndërrua në eunuk”, deklaroi Berisha, duke iu referuar ndryshimit të qëndrimit të Sinajt ndaj Reformës Territoriale.
Berisha u ndal edhe te aktiviteti i biznesit të Sinajt dhe pretendimet e tij lidhur me çështjen e sigurisë ushqimore.
“Përsa i përket asaj që thua se për biznesin, për mua e para është siguria ushqimore. Mësoje! Siguria ushqimore për qytetarët!”, u shpreh ai.
Më tej, Berisha akuzoi Sinajn se kishte ndryshuar qëndrim pasi, sipas tij, ishte përballur me presion politik lidhur me aktivitetin e tij tregtar.
“Po duket se kur të nxorën kartonin e kuq për të shndërruar Big Market në small market, edhe ti u palose. E hëngre turpin me bukë”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Selenicës dhe qarkut të Vlorës, Berisha e lidhi qëndrimin e Sinajt me të ardhmen e Bashkisë Selenicë.
“Midis Big Marketeve të tij […] dhe Selenicës, të drejtave tuaja për të patur vetëqeverisjen, ai që s’dua t’ia them as emrin këtu, zgjodhi Big Marketin e tij”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së e kritikoi deputetin socialist për qëndrimin e tij, duke deklaruar se ndryshimi i pozicionit të tij do të mbahet mend nga qytetarët e Selenicës.
“Fjala jote është funerali i Bashkisë Selenicë. Shtylla e turpit në atë bashki do ngrihet dhe emri i parafolësit do shkruhet me gërmat më të zeza”, tha Berisha.

