Policia dyshon se tre persona po përgatiteshin të kryenin një vrasje në aksin e vjetër Pllanë–Lezhë. Hetimet zbuluan lëvizjet e të dyshuarve, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan armë zjarri, municion dhe një motor i vjedhur në Suedi.
Tre persona janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohen se po përgatiteshin të kryenin një atentat në zonën e Lezhës. Sipas dyshimeve hetimore, Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, po lëviznin me një motor të bardhë, të pajisur me skafandra të zeza dhe të armatosur, në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë, me qëllim ekzekutimin e një personi, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur.
Policia e Lezhës
Dyshimet për lëvizjet e tyre çuan në nisjen e hetimeve nga Policia e Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, autoritetet kishin marrë një sinjalizim në mënyrë diskrete dhe, për disa ditë, kanë mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit, duke ndjekur lëvizjet e tyre. Dyshohet se në këtë proces janë përdorur edhe pamjet e disa kamerave të sigurisë të vendosura në zonën e Pllanës.
Operacioni policor, i koduar “Detajet”, u finalizua në aksin Gjadër–Barbullush, në drejtim të Shkodrës. Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu ndaluan një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin Piroli dhe Ymeri, si dhe Elden Tarja, 25 vjeç, nga Barbullushi i Shkodrës.
Do vrisnin një person, kapen në Lezhë Elden Tarja, Kristian Ymeri dhe Vinçesk Piroli
Ky i fundit dyshohet se kishte rolin e drejtuesit të automjetit dhe do t’i ndihmonte dy të dyshuarit e tjerë të largoheshin pas kryerjes së atentatit.
Gjatë kontrolleve, Policia gjeti motorin që dyshohet se do të përdorej për atentatin, në banesën e Elden Tarjas dhe në ambientet përreth saj. Po ashtu, u sekuestruan tri pistoleta me krehra e fishekë, municion luftarak, automjeti tip “Volkswagen” dhe motori.
Nga verifikimet paraprake, motori rezultoi i vjedhur në Suedi, ndërsa çelësat e tij iu gjetën Kristian Ymerit, i njohur edhe me mbiemrin Shkambi.
Vinçesk Piroli, nga Kurbini, raportohet se ka precedentë kriminalë brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar personin që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej të arrestuarve.

