Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ushtruar një kontroll në qelinë ku mbahet i izoluar Ergys Agasi, në Bradashesh.
Sipas burimeve, gjatë kontrollit janë sekuestruar disa telefona celularë, të cilët ende nuk janë zbërthyer për të zbuluar përkatësinë e tyre dhe të dhënat që mund të përmbajnë.
Menjëherë pas shkarkimit të Adriatik Kupit, BKH gjen telefona pranë qelisë së Gys Agasit
Ergys Agasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si drejtues i një grupi kriminal që dyshohet se vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kontrolli në qelinë e Agasit vjen një ditë pas largimit të Adriatik Kupit, i cili është përmendur në raportimet mediatike në lidhje me takimet me Agasin në ambientet e paraburgimit në Bradashesh.
Pritet që ekspertimi i celularëve të sekuestruar të hedhë dritë mbi përmbajtjen e tyre dhe nëse pajisjet kanë të dhëna me interes për hetimin.
Deri më tani, nuk ka të dhëna të konfirmuara publikisht që të provojnë një lidhje mes kontrollit të fundit dhe largimit të Kupit.

