Shoqatat e biznesit janë bashkuar me një zë të vetëm duke i bërë thirrje protestuesve që të mos dëmtojnë sipërmarrjen private.
Nëntë shoqata të biznesit kanë shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike dhe private duke i kërkuar institucioneve të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e aktivitetit ekonomik.
Përmes një deklarate të përbashkët, përfaqësuesit e sipërmarrjes sqaruan se ndonëse e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një shtyllë e demokracisë, aktet e dhunës ndaj bankave, institucioneve dhe qendrave tregtare janë plotësisht të papranueshme.
Sipas tyre, këto sulme nuk godasin thjesht ca mure apo biznese, por prekin drejtpërdrejt investimet disavjeçare, vendet e punës dhe ekonominë e familjeve që varen prej tyre.
Në këtë situatë të tensionuar, komuniteti i biznesit i ka drejtuar një thirrje të qartë institucioneve dhe forcave të rendit për të marrë masa parandaluese në zonat më të rrezikuara.
Ata insistojnë që ndërhyrjet e Policisë së Shtetit të jenë strikt profesionale dhe proporcionale, duke garantuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, punonjësve dhe protestuesve paqësorë. Nga ana tjetër, kërkohet që përgjegjësia për dëmet të jetë individuale dhe e dokumentuar me saktësi nga autoritetet, pa rënë në fajësime kolektive të masës së njerëzve që protestojnë qetësisht.
Në mbyllje të qëndrimit të tyre, shoqatat nënshkruese – ku përfshihen që nga Këshilli i Agrobiznesit, Ndërtuesit, Turizmi, e deri te Manifaktura dhe Shoqata e Grave Profesioniste – u kanë bërë apel edhe organizatorëve politikë të tubimeve.
Ata kërkojnë distancim të menjëhershëm nga elementët e dhunshëm dhe bashkëpunim për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rrugët e Tiranës.


1 Koment
Pingback: Tirana në kaos! Fiken dritat në bulevard, protestuesit hedhin molotovë dhe fishekzjarrë drejt policisë - InfoNews Albania