Raporti i Gjykatës Europiane të Auditorëve për tregtinë ilegale të duhanit: pothuajse 1 në 10 cigare në tregun e BE-së vlerësohet të jetë prodhuar ilegalisht ose kontrabanduar dhe humbjet e të ardhurave publike vlerësohen në rreth 13 miliardë euro në vit.
Nga prodhimi ilegal te kontrabanda, tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit vijon të jetë një problem serioz për Bashkimin Europian, duke dëmtuar financat publike, shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë.
Në një raport të ri, Gjykata Europiane e Auditorëve (ECA) konstaton se, pavarësisht përpjekjeve të Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për të luftuar këtë fenomen kriminal, masat e ndërmarra nuk janë ende të mjaftueshme.
Sipas auditorëve, prodhimi ilegal i cigareve brenda BE-së është në rritje, ndërsa metodat e kontrabandës janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara. Në të njëjtën kohë, në treg po shfaqen dhe po përhapen produkte të reja të duhanit.
Një nga problemet kryesore të evidentuara në raport është bashkëpunimi i pamjaftueshëm mes vendeve të BE-së, i cili vazhdon të ketë boshllëqe dhe mungesë të një qasjeje të koordinuar në nivel europian.
Prodhimi ilegal zhvendoset drejt BE-së
Sipas raportit, tregtia e paligjshme e duhanit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Grupet e krimit të organizuar kanë zhvendosur në mënyrë strategjike një pjesë të prodhimit nga Ukraina drejt vendeve të Bashkimit Europian, me synimin për të shkurtuar zinxhirët e furnizimit dhe për të pasur akses më të drejtpërdrejtë te konsumatorët.
Kontrabanda vijon të jetë problem, por autoritetet kanë zbuluar tashmë fabrika ilegale të prodhimit të cigareve në pothuajse të gjitha vendet e BE-së. Auditorët theksojnë se prodhimi ilegal është rritur në të gjithë unionin.
Në një fabrikë të madhe ilegale të zbuluar në Belgjikë, secila makineri kishte kapacitet të prodhonte rreth 1 milion cigare në orë.
Ndërsa në fabrikën më të madhe ilegale të cigareve të çmontuar ndonjëherë në Spanjë, autoritetet sekuestruan 3 milionë paketa cigare të falsifikuara.
13 miliardë euro humbje çdo vit
Sipas vlerësimit të Komisionit Europian, tregtia e paligjshme e duhanit i kushton buxheteve të BE-së dhe vendeve anëtare rreth 13 miliardë euro në vit.
Megjithatë, Gjykata Europiane e Auditorëve paralajmëron se kjo shifër duhet trajtuar me kujdes, pasi bazohet në studime të jashtme.
Auditorët theksojnë se Komisioni Europian nuk disponon një vlerësim të pavarur dhe të besueshëm në nivel të gjithë BE-së për madhësinë e tregut të paligjshëm të duhanit, strukturën e tij dhe ndikimin ekonomik, përfshirë të ardhurat tatimore të humbura.
Sipas tyre, mungesa e të dhënave të plota e bën më të vështirë përcaktimin e përmasave reale të problemit dhe hartimin e një përgjigjeje efektive.
Rregullat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin
Gjatë dekadës së fundit, BE-ja dhe vendet anëtare kanë ndërmarrë masa për luftimin e tregtisë së paligjshme të duhanit. Por, sipas auditorëve, legjislacioni europian nuk është i harmonizuar dhe përpjekjet e vendeve janë të pabarabarta.
Problemet lidhen edhe me mënyrën se si trajtohen lëndët e para dhe pajisjet e prodhimit, si dhe produktet e reja të duhanit, përfshirë produktet e duhanit të ngrohur dhe lëngjet për cigaret elektronike.
Vendet anëtare kanë gjithashtu qasje të ndryshme për kontrollet dhe ndëshkimet. Përkufizimi i veprave penale dhe ashpërsia e dënimeve ndryshojnë nga një shtet në tjetrin.
Sipas auditorëve, këto dallime mund të krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga grupet kriminale, të cilat mund ta zhvendosin aktivitetin e tyre drejt vendeve me kontrolle dhe masa ndëshkuese më të dobëta.
Një tjetër problem i evidentuar është shkëmbimi jo i njëtrajtshëm i informacionit mes vendeve të BE-së.
Auditorët kërkojnë rol më aktiv të Komisionit Europian
Lufta kundër tregtisë së paligjshme të duhanit është përgjegjësi e disa institucioneve dhe autoriteteve. Megjithatë, sipas Gjykatës Europiane të Auditorëve, nuk ekziston një strukturë e vetme me rol të qartë koordinues.
Si rezultat, përpjekjet mbeten të fragmentuara.
Auditorët i bëjnë thirrje Komisionit Europian që të marrë një rol më aktiv në koordinimin e luftës kundër tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.
Petri Sarvamaa, anëtar i Gjykatës Europiane të Auditorëve që drejtoi auditimin, tha se BE-ja duhet të forcojë përpjekjet për të luftuar aktivitetin kriminal dhe për të mbrojtur shëndetin, financat dhe sigurinë e qytetarëve.
8.8% e konsumit të cigareve vlerësohet të jetë ilegal
Sipas të dhënave të Komisionit Europian, në vitin 2023 produktet e paligjshme të duhanit përbënin rreth 8.8% të konsumit total të cigareve në BE.
Ndërkohë, duke përjashtuar cigaret, tregu i produkteve të paligjshme të duhanit arrin në rreth 21 mijë tonë në të gjithë Bashkimin Europian.
Raporti thekson gjithashtu se produktet e reja të duhanit përbëjnë rreth 13% të vlerës së tregut të produkteve të duhanit të shitura në BE dhe po tërheqin veçanërisht konsumatorët më të rinj.
Krimi i organizuar përfiton nga tregu ilegal
Produktet e paligjshme të duhanit janë veçanërisht tërheqëse për grupet e krimit të organizuar për shkak të fitimeve të larta dhe rrezikut relativisht të ulët.
Sipas auditorëve, ndëshkimet tradicionalisht kanë qenë të lehta dhe shkalla e zbulimit të aktivitetit ilegal ka qenë e ulët.
Tregtia e paligjshme krijon një burim të rëndësishëm të ardhurash për grupet kriminale, ndërsa shitja e produkteve më të lira të duhanit dobëson përpjekjet e autoriteteve për të reduktuar konsumin.
Në të njëjtën kohë, aktiviteti ilegal shkakton humbje për buxhetet publike përmes detyrimeve doganore, TVSH-së dhe akcizave kombëtare.
Raporti i Gjykatës Europiane të Auditorëve ngre kështu shqetësime për rritjen e prodhimit ilegal brenda BE-së dhe kërkon një qasje më të koordinuar europiane për të frenuar një treg që, sipas vlerësimeve, i kushton buxheteve publike miliarda euro çdo vit.

