Një ngarkesë me mish pule e nisur nga Brazili dhe e destinuar për Shqipërinë përfundoi në qendër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge, pasi në kontejnerin që mbërriti në Portin e Durrësit u zbuluan 41 kilogramë kokainë.
Bëhet fjalë për një itinerar detar që ka zgjatur rreth 38 ditë dhe ka përfshirë katër pika kryesore: Brazilin, Marokun, Greqinë dhe në fund Shqipërinë.
Kontejneri u ngarkua më 5 gusht në portin e Itajaí-t, në Brazil. Po atë ditë anija u nis drejt destinacionit të parë, Port Tanger Med në Marok, ku mbërriti më 24 gusht, pas 19 ditësh lundrim.
Mes mishit brazilian të porositur nga A.M.G Shpk, kapet 41 kg Kokaine në Durrës
Në Tanger Med, kontejneri qëndroi për rreth tetë ditë. Më 1 shtator u ngarkua në një tjetër anije, e cila u nis më 2 shtator drejt Greqisë.
Më 7 shtator, ngarkesa mbërriti në portin e Pireut. Një ditë më pas u transferua në një tjetër anije dhe më 9 shtator mori drejtimin për në Shqipëri.
Anija mbërriti në Portin e Durrësit pasditen e 12 shtatorit. Kontejneri u shkarkua paraditen e 13 shtatorit dhe, sipas të dhënave të hetimit, në mbrëmje, rreth orës 23:00, doli nga terminali.
Por rrugëtimi nuk përfundoi aty.
Më 14 shtator u regjistrua hyrja përfundimtare e kontejnerit në terminalin e Durrësit. Pas sinjalizimeve të mbërritura nga partnerët e huaj, ngarkesa iu nënshtrua kontrollit në skaner.
Kontrolli solli zbulimin e 41 kilogramëve kokainë të fshehur mes ngarkesës me mish pule.
Kompania AMG në fokusin e hetimit
Mishi i pulës ishte porositur nga kompania AMG, e administruar nga Arben Goxha, i njohur edhe si biznesmeni i kompanisë së sallameve DIMAL.
Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka një fakt apo provë të bërë publike që e lidh Goxhajn apo kompaninë AMG me kokainën e sekuestruar.
Pikërisht kjo është një nga pistat që po verifikohet nga hetuesit: nëse ngarkesa e paligjshme është vendosur në kontejner pa dijeninë e porositësit të mishit apo nëse pas saj qëndron një skemë e organizuar e trafikut ndërkombëtar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se ku është futur droga në ngarkesë, nga kush është manipuluar kontejneri dhe kush ishte destinacioni real i 41 kilogramëve kokainë.
Një sinjalizim që çoi te ngarkesa
Operacioni merr rëndësi edhe për faktin se zbulimi i drogës në Durrës erdhi pas informacionit të përcjellë nga partnerët ndërkombëtarë.
Për më shumë se pesë vite, Porti i Durrësit ka qenë në qendër të diskutimeve dhe akuzave publike lidhur me kontrollin e ngarkesave dhe pretendimet për ndikimin e grupeve kriminale në këtë pikë strategjike të hyrje-daljes së mallrave.
Sekuestrimi i 41 kilogramëve kokainë në një kontejner të ardhur nga Amerika e Jugut rikthen vëmendjen te porti më i rëndësishëm tregtar i vendit dhe te mënyra se si rrjetet ndërkombëtare mund të përdorin linjat e zakonshme të transportit për të futur drogë në Shqipëri.
Në këtë rast, kontejneri ka kaluar në disa porte dhe është transferuar nga një anije në tjetrën përpara se të mbërrinte në Durrës.
Nga Itajaí më 5 gusht deri te kontrolli në skaner në Durrës më 14 shtator, ngarkesa ka kaluar një rrugë prej rreth 38 ditësh.
Tashmë, fokusi i hetimit është të zbardhë momentin kur kokaina është futur në kontejner, personat që kanë pasur akses në të gjatë itinerarit dhe destinacionin përfundimtar të drogës.

