Dy versione të ndryshme për të njëjtin vendim arbitrazhi. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e konsideron vendimin e Arbitrazhit të Emergjencës një fitore dhe thotë se zgjidhja e kontratës së koncesionit të Aeroportit të Vlorës ka hyrë në fuqi. Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli pretendon se urdhri i arbitrit e detyron MIE-n të përmbahet nga veprime të lidhura me ndërprerjen e koncesionit.
Sipas MIE-së, Arbitri i Emergjencës ka rrëzuar kërkesën kryesore të VIA-s për pezullimin e zgjidhjes së kontratës së koncesionit dhe të Njoftimit për Zgjidhje. Ministria thotë se janë rrëzuar gjithashtu kërkesat për ndërmjetësim dhe shtyrjen e fillimit të arbitrazhit me dy muaj.
MIE thekson se e vetmja masë e pranuar ka qenë një masë e përkohshme për ruajtjen e status quo-së, deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit. Sipas ministrisë, kjo masë nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së kontratës.
Por Pacolli, i cili përmes MABCO-s zotëron 98% të kuotave të VIA-s, thotë të kundërtën. Në deklaratën e tij ai thotë se arbitri i emergjencës ka urdhëruar MIE-n të përmbahet nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë procedurën e arbitrazhit.
MIE thotë se kontrata është zgjidhur dhe kjo zgjidhje ka hyrë në fuqi, Pacolli kërkon që qeveria të mos ndërmarrë hapa që lidhen me këtë zgjidhje, duke argumentuar se urdhri i arbitrit duhet respektuar.
Deklarata e MIE:
Më 16 shtator 2026, Arbitri i Emergjencës nxori Urdhrin në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga VIA, Koncesionari sipas Kontratës së Koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohettribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen.
Më e rëndësishmja, Arbitri rrëzoi kërkesën kryesore të VIA-s për të pezulluar si zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit, ashtu edhe zbatimin e Njoftimit për Zgjidhje, sipas kushteve të gjerësisht jashtëkontraktore të kërkuara nga VIA. Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë.
Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.
Arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit.
I vetmi lehtësim i dhënë ishte një masë e përkohshme afatshkurtër. Arbitri i Emergjencës urdhëroi MIE që, përkohësisht, të mos ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Arbitri theksoi se masa është afatshkurtër dhe do të mbetet në fuqi vetëm derisa të konstituohettribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen. Masa afatshkurtër nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Në dritën e këtyre konstatimeve, Arbitri i Emergjencës urdhëroi gjithashtu VIA-n të përballojë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës.
Vendimi përfaqëson, pra, një dështim të qartë të VIA-s për të siguruar vendimin që përbënte thelbin e kërkesës së saj. VIA kërkoi të pengonte hyrjen në fuqi të zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit dhe të vononte fillimin e arbitrazhit nëpërmjet një procesi të zgjatur ndërmjetësimi. Nuk arriti asnjërën prej tyre. Zgjidhja e Kontratës nuk u pezullua, kërkesat lidhur me ndërmjetësimin dhe shtyrjen e afatit u rrëzuan, dhe e vetmjakërkesë e pranuar është një masë afatshkurtër që ruan status quo-në derisa të konstituohettribunali i arbitrazhit dhe të mund ta shqyrtojë vetë çështjen.
Vendimi i mundëson MIE të përgatisë hapat e mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e Kontratës së Koncesionit, të cilët janë të nevojshëm për të mbrojtur interesin publik, duke respektuar plotësisht masën e kufizuar dhe afatshkurtër të urdhëruar në pritje të konstituimit të tribunalit të arbitrazhit dhe të vendimmarrjes së tij për këtë çështje.
Në përputhje me vendimin e Arbitrit të Emergjencës, MIE do ta njoftojë sot VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.
Deklarata e Pacollit:
APEL PUBLIK PËR QEVERINË E SHQIPËRISË
Pas vendimit të njëanshëm të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, MABCO, investitori dhe financuesi i këtij projekti, si dhe zotëruesi i 98% të kuotave të VIA-s, u detyrua, në përputhje me kushtet kontraktuale, t’i drejtohej arbitrazhit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe investimit të saj.
Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar.
I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.
MABCO NUK KA SYNUAR zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ARBITRAZHIT. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmanjen e pëngesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.
Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion.
Në këtë fazë, kërkojmë që në VIA të këthehet legjitimiteti, puna dhe investimi ynë të respektohen dhe që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë.
I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.

