SARANDË – Një 44-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e sotëm në një zonë të populluar të Sarandës. Viktima është identifikuar si Artan Myrtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani i Rruzhdiut”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:55, në zonën e ish-agjencisë, në qendër të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, Myrtaj ishte ulur në një lokal kur dy persona, të cilët dyshohet se lëviznin me motorë dhe mbanin skafandra, iu afruan dhe hapën zjarr.
Autorët dyshohet se kanë ardhur nga rruga “Lefter Talo”. 44-vjeçari, pasi i ka pikasur, ka tentuar të largohet me vrap në drejtim të kryqëzimit për të zbritur në rrugën “Vangjel Pandi”, por është qëlluar për vdekje gjatë arratisjes.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç. I moshuari është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e atentatit ka mbërritur edhe nëna e viktimës. E tronditur nga ajo që kishte ndodhur, ajo ka shpërthyer në lot pranë trupit të të birit, ndërsa një grua dhe një punonjës policie janë përpjekur ta mbajnë.
Policia ka nisur kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës.
Në kuadër të hetimeve pritet të sekuestrohen dhe administrohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të autorëve para dhe pas krimit.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa shërbimet policore janë vënë në ndjekje të autorëve.
Myrtaj ishte arrestuar edhe në korrik 2025, nën akuzën për “përkrahje të autorit të krimit”, në lidhje me plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lames, pas një konflikti të lidhur me çështje pronësie në zonën e bregdetit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.

