Një sasi e konsiderueshme e telefonave të rinj iPhone 18 është futur kontrabandë në Shqipëri, pa shlyer detyrimet doganore, TVSH-në dhe detyrime të tjera që lidhen me importin e tyre.
Sipas informacioneve të siguruara nga InfoNews Albania, pajisjet dyshohet se kanë hyrë në territorin shqiptar përmes kanaleve të parregullta dhe më pas janë nxjerrë në treg për shitje.
Burime bëjnë me dije se pritet të zhvillohet një hetim për të zbardhur mënyrën se si telefonat kanë kaluar në territorin shqiptar dhe nëse ka pasur tolerim apo shkelje nga persona të përfshirë në procesin doganor.
Në fokus të verifikimeve pritet të jenë edhe personat që dyshohet se kanë sjellë pajisjet në Shqipëri, si dhe individë apo subjekte që i posedojnë dhe i ofrojnë për shitje.
Çështja merr rëndësi edhe për faktin se iPhone 18 pritej të mbërrinte zyrtarisht në tregun shqiptar rreth fundit të shtatorit ose fillimit të tetorit. Megjithatë, sipas burimeve, disa tregtarë dyshohet se kanë përdorur mënyra të paligjshme për ta futur produktin në vend.
InfoNews Albania do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe çdo të dhënë të re që mund të dalë nga verifikimet apo hetimi i mundshëm.
Vetëm pak ditë më parë edhe në Kosovë pati një aksion për rastin e kontrabandimit të Iphone 18.

