Një numër në rritje klientësh të Raiffeisen Bank kanë denoncuar në rrjetet sociale raste të debitimeve të shumave të parave nga llogaritë e tyre, pa kryer, sipas deklarimeve të tyre, blerje apo transaksione përkatëse.
Rastet e raportuara flasin për shuma që variojnë nga disa qindra euro deri në rreth 1 mijë euro.
SKANDAL te Raiffeisen Bank
Klientët e Raiffeisen Bank nuk gjejnë qetësi nga sulmet për vjedhjen e parave
Një prej rasteve të verifikuara nga “Kapitali” lidhet me një qytetar, i cili kishte rreth 100 mijë lekë në llogarinë e tij. Sipas tij, gjatë ditës ka kryer një blerje me vlerë rreth 10 euro, ose afërsisht 1,100 lekë.
Pas transaksionit, qytetari ka marrë një njoftim me SMS nga banka, ku balanca e llogarisë rezultonte rreth 50 mijë lekë më e ulët. Pra, ndërsa transaksioni i kryer prej tij ishte rreth 1,100 lekë, në bilancin e llogarisë shfaqej një diferencë prej rreth 50 mijë lekësh.
Ky nuk është rasti i vetëm.
Dhjetëra qytetarë të tjerë kanë publikuar ankesa të ngjashme në rrjetet sociale, duke pretenduar se nga llogaritë e tyre janë debituar shuma nga 500 deri në 1,000 euro, pa autorizimin e tyre.
Klientët shprehen gjithashtu se kanë tentuar të kontaktojnë Raiffeisen Bank për të marrë sqarime mbi transaksionet, por pretendojnë se nuk kanë mundur të marrin përgjigje përmes kanaleve telefonike të kontaktit me bankën.
Njoftimi i bankës për sulmet “smishing”
SKEMA/ Ish punonjësi i Kredo.al vjedh llogaritë e Raiffeisen Bank
Rastet e raportuara nga klientët vijnë në një moment kur Raiffeisen Bank ka paralajmëruar publikisht klientët për sulme kibernetike të tipit “smishing”.
Sipas njoftimit të bankës, bëhet fjalë për mesazhe SMS mashtruese që synojnë të marrin të dhënat e klientëve.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk është e qartë nëse rastet e raportuara të debitimeve lidhen drejtpërdrejt me këto sulme apo me një tjetër problem teknik apo sigurie.
Ajo që mbetet për t’u sqaruar është origjina e transaksioneve të raportuara nga klientët dhe nëse bëhet fjalë për një incident të përbashkët që prek një numër të konsiderueshëm llogarish.
Në raste të tilla, klientët kanë të drejtë të kërkojnë nga banka verifikimin e transaksioneve dhe sqarimin e çdo debiti që nuk është autorizuar prej tyre.
Rasti ngre gjithashtu pikëpyetje mbi sigurinë e shërbimeve bankare në një kohë kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e transaksioneve kryhet përmes kanaleve dixhitale.
Përmasat reale të problemit dhe nëse bëhet fjalë për një incident të sigurisë kibernetike mbeten për t’u përcaktuar nga banka dhe autoritetet përkatëse.

