Shqipëria mes vendeve europiane më të mira për të dalë në pension
Shqipëria është renditur mes destinacioneve europiane më tërheqëse për personat që kërkojnë të dalin në pension jashtë vendit.
Sipas renditjes së vitit 2026 të Global Citizen Solutions, Shqipëria pozicionohet në vendin e 8-të në Europë, në një klasifikim që merr në konsideratë destinacionet më të përshtatshme për pensionistët dhe personat me të ardhura pasive.
Në renditjen europiane, Shqipëria renditet pas Spanjës, Portugalisë, Letonisë, Andorrës, Italisë, Greqisë dhe Austrisë. Pas Shqipërisë pozicionohen Qiproja dhe Malta.
Indeksi ndërkombëtar vlerëson një sërë faktorësh që ndikojnë në jetesën e pensionistëve jashtë vendit, përfshirë cilësinë e jetës, kostot, taksimin, mundësitë e rezidencës, sigurinë dhe procedurat për qëndrimin afatgjatë.
Në renditjen globale, Uruguai kryeson listën, i ndjekur nga Mauritius dhe Spanja. Portugalia, e cila ishte në vendin e parë në vitin 2025, këtë vit renditet e pesta.
Fakti që Shqipëria është pjesë e dhjetë destinacioneve europiane të renditura më lart për pensionistët tregon edhe rritjen e interesit ndërkombëtar për vendin si destinacion për të huajt që kërkojnë të jetojnë jashtë shtetit pas daljes në pension.
Kostoja e jetesës, klima, pozicioni gjeografik dhe zhvillimi i sektorit të turizmit janë ndër faktorët që kanë rritur interesin e të huajve për Shqipërinë vitet e fundit.
Megjithatë, renditja nuk do të thotë se Shqipëria është ndër 10 vendet më të mira në botë për pensionistët. Pozicioni i saj është i 8-ti në klasifikimin europian të këtij indeksi.

