Situata e agravuar mbrëmjen e djeshme në bulverdin “Dëshmorët e Kombit”, mes protestuesve dhe forcave të rendit ka ngjallur reagime mes deputetëve të mazhorancës, të cilët bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës.
Si deputet i mazhorancës, Pirro Vengu në një reagim në rrjetet sociale vlerësoi vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit, duke theksuar se punonjësit e policisë, personeli mjekësor dhe zjarrfikësit meritojnë mbështetje për shërbimin ndaj qytetarëve. Ai nënvizoi se mbështetja për policinë nuk duhet të cenojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe për të kërkuar llogari nga institucionet.
“Kam shërbyer pranë burrave dhe grave në uniformë dhe e di peshën e përgjegjësisë që mbajnë. Policët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit meritojnë mbështetjen tonë për shërbimin ndaj atdheut dhe ndaj qytetarëve. Vetëpërmbajtja dhe profesionalizmi i policisë kanë qenë dhe mbeten vendimtarë për të shmangur sa më shumë lëndime dhe për të ndalur sulmet e verbra. Kjo është thirrje për të mbrojtur ata që shërbejnë, jo për t’u mohuar zërin qytetarëve që protestojnë paqësisht”, shkruan deputeti Vengu.
Si deputet i mazhorancës, ai pranoi gjithashtu përgjegjësinë për të dëgjuar kërkesat e protestuesve dhe për t’u përballur me arsyet që kanë çuar qytetarët në rrugë.
“Si deputet dhe pjesë e mazhorancës, kam përgjegjësinë jo vetëm të dëgjoj kërkesën e protestuesve, por mbi të gjitha të përballem me arsyet themelore që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë. Thirrja për qetësi nuk na çliron nga ky detyrim.”, shprehet ndër të tjera deputeti i PS-së.
Ndër të tjera në reagimin e tij, Vengu bëri thirrje që të mos përhapen informacione të pakonfirmuara për viktima dhe mesazhe që nxisin hakmarrjen.
Reagimi i plotë:
Kam shërbyer pranë burrave dhe grave në uniformë dhe e di peshën e përgjegjësisë që mbajnë. Policët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit meritojnë mbështetjen tonë për shërbimin ndaj atdheut dhe ndaj qytetarëve. Vetëpërmbajtja dhe profesionalizmi i policisë kanë qenë dhe mbeten vendimtarë për të shmangur sa më shumë lëndime dhe për të ndalur sulmet e verbra.
Kjo është thirrje për të mbrojtur ata që shërbejnë, jo për t’u mohuar zërin qytetarëve që protestojnë paqësisht. Keni të drejtë të kundërshtoni dhe të kërkoni llogari. Dhuna e të tjerëve nuk ju bën ju fajtorë. Mos lejoni që ajo t’ju rrezikojë dhe t’jua mbysë zërin.
Si deputet dhe pjesë e mazhorancës, kam përgjegjësinë jo vetëm të dëgjoj kërkesën e protestuesve, por mbi të gjitha të përballem me arsyet themelore që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë. Thirrja për qetësi nuk na çliron nga ky detyrim.
Kujtdo që komunikon publikisht i bëj thirrje të mos përhapë lajme të pakonfirmuara për viktima dhe as mesazhe që ushqejnë hakmarrjen.
Mbrojtja e qytetarëve, e së drejtës për protestë dhe e njerëzve në uniformë që shërbejnë në vijën e parë është e njëjta përgjegjësi publike. Sonte, nesër dhe kurdoherë duhet ta ushtrojmë me qetësi, vendosmëri dhe njerëzi.

