Info News
TIRANË – Në ditët e fundit, emri i drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, është shfaqur në një seri raportimesh me një ton dukshëm më pozitiv, duke nxjerr bilancet e institucionit, legalizimet, digjitalizimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Vetëm më 7 tetor, disa media publikuan pothuajse të njëjtën linjë informacioni: Kadastra ka nxjerrë mbi 28 mijë vendime legalizimi gjatë nëntë muajve të vitit 2026, shifër që, sipas raportimeve, tejkalon të gjithë volumin e vitit 2025. Në këto artikuj, Goxhobelli prezantohet përmes rezultateve të institucionit dhe mesazheve të saj për një Kadastër më të shpejtë dhe më pranë qytetarëve.
Në të njëjtën linjë, më 5 tetor u publikuan raportime mbi objektivin e Kadastrës për dhënien e 1 mijë titujve të pronësisë për tokën bujqësore gjatë vitit 2026. Në fokus ishin shifrat e punës së institucionit, shtrirja e procesit në 59 fshatra dhe deklaratat e Goxhobellit për përshpejtimin e procedurave.
Por kjo pamje është dukshëm e ndryshme nga ajo që është parë në disa media gjatë muajve të fundit.
Nga “Kadastra në krizë” te “Kadastra që po sjell rezultate”
Gjatë vitit 2026, Goxhobelli ka qenë objekt i një numri të konsiderueshëm artikujsh kritikë. Në qershor, media të caktuara e kanë akuzuar drejtimin e saj për probleme të transparencës, funksionimit të institucionit dhe administrimit të pronave, shkruan InfoNews.al. Një prej raportimeve të 16 qershorit e përshkruante Kadastrën si një institucion që, sipas autorit, ishte kthyer në një “bunker” nën drejtimin e Goxhobellit.
Në korrik, situata u bë edhe më e ekspozuar publikisht pas raportimeve për praninë e Byrosë Kombëtare të Hetimit në ASHK dhe hetimeve ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të institucionit. Në atë kohë qarkulluan edhe raportime se telefonit të Goxhobellit i ishte vendosur sekuestro, pretendim që Vox News e mohoi duke cituar burime të veta, shkruan InfoNews.al. Pra, edhe brenda raportimeve kritike pati versione të ndryshme mbi atë që kishte ndodhur.
Më pas, në shtator, një tjetër media publikoi pretendime shumë të rënda për një hetim të mundshëm ndaj Goxhobellit dhe madje për një urdhër-arresti që, sipas burimeve të paidentifikuara të saj, do të ishte në përgatitje. Këto pretendime nuk duhen trajtuar si fakte të konfirmuara, pasi në burimin e gjetur nuk shoqërohen me një konfirmim zyrtar të SPAK-ut.
Ndërkohë, narrativa e ditëve të fundit është tjetër
Në raportimet e 5 dhe 7 tetorit, fokusi është zhvendosur nga akuzat dhe problematikat e institucionit te rezultatet.
Mbi 28 mijë legalizime në nëntë muaj, 4.2 milionë kartela pasurie të digjitalizuara, 95.3% e territorit të vendit me regjistrim fillestar dhe projekti për digjitalizimin e 38 mijë hartave janë disa prej treguesve të përdorur në këto artikuj.
Po ashtu, është promovuar një qasje e re e Kadastrës, e përshkruar si shërbim “derë më derë”, fillimisht në zonën e Himarës, për banesat që ende nuk kanë dokumentacion pronësie. Në këtë mënyrë, Goxhobelli shfaqet jo thjesht si drejtuesja e një institucioni, por si figura që komunikon drejtpërdrejt rezultatet dhe objektivat e tij.
A kemi të bëjmë me një fushatë për përmirësimin e imazhit, teksa Kadastra “gëlon” nga hallet e qytetarëve?
Ndërkohë, pas shifrave dhe bilanceve pozitive mbetet një realitet tjetër me të cilin qytetarët përballen prej vitesh në zyrat e Kadastrës. Konfliktet për pronat, pretendimet për tjetërsime të paligjshme, gabimet apo përplasjet në dokumentacion, dosjet që zvarriten për muaj e vite dhe qytetarët që enden nga një sportel te tjetri pa gjetur zgjidhje, vijojnë të jenë ndër problematikat më të ndjeshme të këtij institucioni, shkruan InfoNews.al. Në raste të ndryshme, konfliktet për pronësinë nuk kanë mbetur vetëm në zyrat e shtetit, por kanë degjeneruar edhe në përplasje të rënda mes palëve, deri në përdorimin e armëve. Pikërisht për këtë arsye, për shumë qytetarë bilanci i vërtetë i Kadastrës nuk matet vetëm me numrin e legalizimeve apo kartelave të digjitalizuara, por me pyetjen nëse pronari arrin realisht të marrë dokumentin e pronës së tij dhe të ndiejë se prona është e sigurt ligjërisht./InfoNews.al

