Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pas paraqitjes së tij në ambientet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Arrestohet nga policia Valon Lluka
Lluka ishte paraqitur gjatë paradites në ambientet e policisë, i shoqëruar nga avokati i tij. Fillimisht nuk u bënë të ditura arsyet e paraqitjes, ndërsa më pas burime raportuan se biznesmeni është arrestuar.
Autoritetet kosovare ende nuk kanë bërë publike detaje të plota mbi veprën për të cilën është ndaluar Lluka dhe rrethanat e hetimit.
Emri i tij është bërë i njohur edhe në Shqipëri gjatë muajve të fundit, kryesisht për shkak të përplasjes publike dhe ligjore me biznesmenin Behgjet Pacolli, në kuadër të konfliktit për aksionet dhe administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Lluka ka qenë për vite me radhë një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Pacollit dhe ka mbajtur detyrën e administratorit të shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës. Përplasja mes tyre shpërtheu publikisht pas largimit të Llukës nga detyra dhe më pas vijoi me akuza të ndërsjella.
Në maj të këtij viti, Pacolli akuzoi Llukën, së bashku me persona të tjerë, për veprime që, sipas tij, synonin përfitimin personal në lidhje me 47% të kuotave të kompanisë që lidhet me Aeroportin e Vlorës. Pacolli deklaroi në atë kohë se çështja ishte në trajtim civil dhe penal në Tiranë.
Përplasja u rikthye në vëmendje në muajin gusht, kur Pacolli bëri akuza të tjera ndaj ish-drejtorit të Mabetex Holding. Ai pretendoi se Lluka kishte urdhëruar një pagesë prej më shumë se 1.5 milionë eurosh, pa dokumentacion që provonte kryerjen e shërbimeve. Pacolli përmendi gjithashtu pagesa prej rreth 1.6 milionë eurosh të kryera gjatë vitit 2025 drejt një kompanie në Abu Dhabi, të cilat, sipas tij, ishin bërë mbi bazën e faturave për shërbime që nuk ishin realizuar.
Lluka i ka mohuar këto akuza. Në një reagim të tij, ai ka kundërshtuar interpretimin e Pacollit lidhur me një vendim të gjykatës në Abu Dhabi, duke pretenduar se vendimi nuk e ngarkonte atë personalisht me përgjegjësi financiare dhe se nuk ishte provuar mashtrim apo tejkalim kompetencash nga ana e tij.
Një tjetër episod i bërë publik në mediat shqiptare lidhet me një kredi prej 100 milionë eurosh. Në një email drejtuar drejtuesve të grupit Pacolli, Lluka kishte kundërshtuar që Aeroporti i Vlorës të përdorej si garanci për financimin, duke argumentuar se një veprim i tillë kërkonte miratimin paraprak të qeverisë shqiptare.
Ndërkohë, zhvillimi i sotëm në Kosovë e rikthen Llukën në qendër të vëmendjes. Ende nuk ka një njoftim të plotë zyrtar që të sqarojë akuzën konkrete mbi të cilën është bërë arrestimi.
Hetimet pritet të zbardhin nëse ndalimi i tij lidhet me çështjet e denoncuara më herët në Kosovë apo me një tjetër procedim penal.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

