“Bëj Like Malajt dhe Bejës, ose të heqim nga puna”/ Plasin denoncimet për presione në Doganën e Durrësit
Një punonjës i Doganës së Durrësit ka ngritur një shqetësim lidhur me, sipas tij, presionin ndaj punonjësve për të pëlqyer dhe shpërndarë postime në rrjetet sociale të ministrit Malaj dhe drejtorit të përgjithshëm, Besmir Beja.
Në një mesazh të dërguar për denoncim, punonjësi pretendon se presioni nuk kufizohet vetëm në Tiranë, por shtrihet edhe në strukturat doganore në Durrës.
“Edhe neve në Durrës na bëhet presion për Like dhe Share në postimet e ministrit Malaj dhe drejtorit të përgjithshëm Besmir Beja”, shkruan ai.
Sipas denoncuesit, mosreagimi ndaj këtyre kërkesave mund të shoqërohet me vërejtje apo paralajmërime për lëvizje dhe transferime në detyrë.
“Kur nuk i bën, fillojnë problemet: të tërheqin vëmendjen, të flasin për lëvizje nga puna, transferime apo pasoja të tjera”, pretendon punonjësi.
Ai e përmbledh situatën me mesazhin: “Bëj Like, shpërndaje dhe mos hap probleme”.
Punonjësi kërkon që çështja të verifikohet edhe në Doganën e Durrësit, duke pretenduar se nuk është i vetmi që e konsideron këtë një shqetësim.
“Shikoni çfarë po ndodh brenda saj, sepse jemi bërë si moçal”, shkruan ai, duke shtuar se kjo është vetëm një prej problemeve që, sipas tij, ekzistojnë në institucion.
Denoncuesi ka kërkuar ruajtjen e anonimatit, me argumentin se frikësohet nga pasoja në vendin e punës për shkak të deklarimeve të tij.

