Paqja misterioze pas 4 ditësh “luftë”, protestuesit dhe policia bëhen bashkë para Kryeministrisë
Pas katër ditësh protestash, përplasjesh me policinë, gazit lotsjellës dhe tensioneve në rrugët e Tiranës, mbrëmja e sotme solli një skenë krejt të ndryshme përpara Kryeministrisë. Protestuesit dhe efektivët e policisë, që deri pak orë më parë qëndronin në dy anë të kundërta, u afruan me njëri-tjetrin, shtrënguan duart, u përqafuan dhe ndanë ujë.
Një moment i pazakontë, ku për herë të parë pas ditësh përplasjesh, protestuesit dhe uniformat blu u bënë bashkë, duke lënë mënjanë përplasjet dhe duke zgjedhur dialogun.
Por si u arrit kjo dakordësi e papritur? Deri më tani, nuk dihet se kush e nisi komunikimin, nëse pati një ndërmjetësim mes palëve apo nëse u arrit ndonjë marrëveshje konkrete që mundësoi këtë ndryshim të atmosferës. Gjithçka ndodhi pa një njoftim zyrtar, ndërsa pamjet nga sheshi treguan të rinj që iu afruan efektivëve dhe komunikuan me ta në një klimë të qetë.
Momenti erdhi pak pas mesazhit të Ambasadës Amerikane, e cila dënoi dhunën dhe bëri thirrje për protesta paqësore. Megjithatë, nuk ka të dhëna që të konfirmojnë nëse mesazhi pati ndikim të drejtpërdrejtë në afrimin mes protestuesve dhe policisë.
Pavarësisht paqartësive mbi mënyrën se si u arrit kjo dakordësi, ajo që u pa në terren ishte një bashkim i pazakontë mes dy palëve që prej katër ditësh përballeshin në rrugë. Protesta u mbyll pa incidente të tjera, ndërsa të pranishmit u ndanë në paqe.
Ndërkohë, kërkesat e protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama mbeten të pandryshuara dhe asnjë zgjidhje konkrete për çështjet që i nxorën qytetarët në rrugë nuk është bërë e ditur.
Mbetet për t’u parë nëse afrimi i mbrëmjes së sotme do të shënojë një kthesë drejt dialogut apo do të jetë vetëm një pauzë e përkohshme në protestat që kanë përfshirë kryeqytetin.

