Klevis Balliu ka reaguar pas incidentit gjatë protestës, ku sipas pamjeve që qarkullojnë në rrjet, ai shihet duke u hedhur në Lanë nga protestuesit.
I ftuar në studion e emisionit të Grida Dumës në Top Channel, Balliu deklaroi se personat që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj tij janë identifikuar dhe se bëhet fjalë për efektivë të Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit. Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, në ngjarje janë përfshirë edhe disa anëtarë të partive politike.
“Janë identifikuar. Nuk kanë lidhje me studentët dhe me protestuesit, por janë të Operacionales. Nuk më kanë goditur. Kam ikur. Nuk kanë lidhje këto veprime me studentët”, u shpreh Balliu.
Gjatë deklaratës së tij, Balliu nuk e konfirmoi drejtpërdrejt nëse personi që shfaqet në videot virale është ai, por as nuk e mohoi këtë. Ai u ndal te identifikimi i personave që, sipas tij, e kanë sulmuar, duke distancuar studentët dhe protestuesit nga veprimet e pretenduara.
Deri në këtë moment, pretendimet e Balliut për identitetin e personave të përfshirë nuk janë shoqëruar me detaje të tjera në deklaratën e tij publike.

