Grupi i hakerëve “Homeland Justice” ka publikuar në kanalin e tij në Telegram materiale që pretendohet se përmbajnë më shumë se 600 numra telefoni që u përkasin punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Materialet e publikuara përfshijnë dokumente që duken si fatura dhe lista të shërbimeve celulare të Vodafone Albania. Në dokumente pretendohet se numrat janë në pronësi të operatorit telefonik dhe se shërbimet janë faturuar në emër të SHISH.

Nëse autenticiteti i materialeve konfirmohet, bëhet fjalë për një rrjedhje të të dhënave që mund të prekë sigurinë e personelit të një institucioni të inteligjencës.
Denoncimi është bërë edhe nga eksperti Besmi Semanj, i cili e ka cilësuar publikimin si një çështje që kërkon reagim institucional.
Pas Vlorës, SHISH merr goditje edhe nga hakerat: Publikojnë numrat e agjentëve
Në reagimin e tij, Semanj kërkon që SHISH dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të verifikojnë publikisht autenticitetin e dokumenteve dhe të bëjnë të ditura masat e marra për mbrojtjen e personave që mund të jenë prekur.
Njëkohësisht, ai u bën thirrje personave që mund t’i kenë siguruar këto materiale që të mos i shpërndajnë më tej, për shkak të rrezikut që mund të krijojë publikimi i të dhënave të personelit të një institucioni të inteligjencës.
Thyhet Vodafone Albania?
Në rast se të dhënat rezultojnë autentike, mbetet për t’u përcaktuar nëse rrjedhja ka ardhur nga sistemet e SHISH, nga operatori telefonik apo nga një burim tjetër që ka pasur akses në dokumentet e faturimit.
Numrat e telefonit nuk po ripublikohen për arsye të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

