90 minutat e qëndrimit në të njëjtën sallë e kryeministrit Edi Rama me kreun e Prokurorisë së Posaçme Klodian Braho nuk ishin aq të qeta sa u përpoq të tregonte deklarata që nxori pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, zyra e shtypit e Bajram Begajt.
Në takimin e së hënës që vetë Rama e kërkoi nga SHBA, pas skandalit të pandodhur më parë, të vënies në shërbim të krimit të organizuar të vetë shefes së Shërbimit Informativ të Shtetit, Presidenti kishte ftuar edhe kreun e SPAK, Klodian Braho.
Ato që shprehu publikisht që në Rinas, për mënyrën e trajtimit të Vlora Hysenit duke kërkuar masë arresti për shefen e shërbimeve sekrete në detyrë, duket se Rama i ka shprehur edhe në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Pallatin e Brigadave.
Lapsi.al mëson nga burime të brendshme se kreu i SPAK ka këmbëngulur se vënia në “arrest shtëpie” e Hysenit ishte një masë e nevojshme për shkak të implikimit të fortë që ajo ka pasur në grupin kriminal të drejtuar nga biznesmeni Ergys Agasi.
Të njëjtat burime konfirmuan për Lapsi.al se drejtuesi i SPAK ka deklaruar para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar se SHISH kishte arritur deri aty sa të angazhohej në përgjime të paligjshme të familjarëve të afërm të dy prokurorëve të Posaçëm që kanë në dorë dosjen e shumëpërfolur të abuzimeve në AKSHI ku është përfshirë biznesmeni Ergys Agasi. Me këto përgjime, sipas Brahos, synohej që t’u bëheshin presione prokurorëve të SPAK që po hetojnë këtë aferë.
Një deklaratë e tillë e fortë bëri që të pranishmit të shihnin njëri –tjetrin në sy, duke treguar edhe një herë se sa i thellë është skandali dhe se deri ku janë përlyer institucionet e shtetit në shërbim të krimit të organizuar.

