Një operacion i gjerë i autoriteteve belge ka çuar në goditjen e një grupi të dyshuar për trafikimin ndërkombëtar të kokainës, me arrestimin e tetë personave dhe vendosjen e masës së arrestit në shtëpi për katër të tjerë.
Mes personave të arrestuar është edhe shqiptari Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur me nofkën “Gjenerali”, emër i cili nuk është i panjohur për autoritetet belge dhe italiane.
Pranga edhe Gert ‘Gjeneralit’! Goditet grupi shqiptar i kokainës në Belgjikë!
Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, pas dyshimeve se një apartament në zonën e Berchemit, në Antwerp, përdorej për të fshehur sasi të konsiderueshme kokaine.
Në fokus të hetuesve ishte një 48-vjeçar, i dyshuar si një prej personave që lidhte grupet kriminale shqiptare me rrjetet e trafikut në Amerikën Latine. Sipas autoriteteve belge, ai kishte rol në koordinimin e transportit të drogës, nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antwerp-it dhe shpërndarjen e tyre.
Hetuesit dyshojnë se ai siguronte edhe njerëzit e nevojshëm për realizimin e operacioneve, përfshirë persona me akses apo lidhje me sektorin e sigurisë. Grupi dyshohet se organizonte marrjen e ngarkesave të kokainës nga porti dhe më pas transportimin e tyre.
Gjatë hetimit, policia belge kishte sekuestruar më herët dy ngarkesa me kokainë, përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë.
Në operacionin e fundit janë zhvilluar kontrolle në disa zona të Antwerp-it, mes tyre Berchem, Deurne dhe Kapellen, si dhe në pika të ndryshme të Brukselit.
Gjatë bastisjeve, autoritetet gjetën armë dhe municione, jelekë antiplumb, pajisje për bllokimin e sinjalit, shuma parash dhe makina për numërimin e cash-it. Në mesin e sendeve të sekuestruara kishte edhe pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara.
Hetuesit gjetën gjithashtu presa dhe kallëpe, të cilat dyshohet se përdoreshin për formësimin e blloqeve të kokainës.
Kush është Gerd Gjinarari?
Emri i Gerd Gjinararit ishte rikthyer në vëmendjen e autoriteteve belge disa muaj më parë, kur 52-vjeçari u arrestua nga ekipi FAST i Policisë Federale.
Në atë kohë, ai rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një vrasje të kryer në vitin 1997 në Milano.
Sipas akuzave të drejtësisë italiane, Gjinarari dyshohet se vrau një rival në një spital në Milano. Për kryerjen e krimit, ai dyshohet se përdori një pistoletë të fshehur brenda një buqete me lule.
Pas arrestimit të qershorit, procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë ishin ende në proces. Megjithatë, disa muaj më vonë, “Gjenerali” është arrestuar sërish në Belgjikë, tashmë në kuadër të një tjetër hetimi, që lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Hetimi belg vijon, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin të gjithë strukturën e rrjetit dhe rolin që ka pasur secili prej personave të arrestuar./InfoNews.al


2 Komente
Pingback: Kush është Gjenerali, nga lirmi tek kapja dy herë në Belgjikë - InfoNews Albania
Pingback: EKSKLUZIVE/ Kokaina e kapur në Durrës i përkiste grupit ku bënte pjesë Gjenerali - InfoNews Albania