Ndryshon formula e zhdoganimit të automjeteve, rritet baza e taksimit
Një urdhër i ri i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Besmir Beja sjell ndryshime në mënyrën se si përcaktohet vlera doganore e automjeteve të importuara, duke rritur në disa raste ndjeshëm bazën mbi të cilën llogaritet TVSH-ja.
Në qendër të ndryshimit është mënyra e vlerësimit të makinave kur çmimi i deklaruar nga importuesi nuk pranohet nga administrata doganore. Deri tani, në këto raste zbatoheshin metoda alternative të parashikuara në udhëzimin e Ministrisë së Financave, ku për automjetet e ardhura nga vendet e Bashkimit Europian përdorej edhe revista Quattroruote si burim reference.
Plas te DOGANA! Besmir Beja, skemë për kontrabandën e naftës Shqipëri-Kosovë?
Sipas rregullit të mëparshëm, vlera e përcaktuar nga tabela mund të reduktohej në 80 për qind, duke shërbyer kjo si bazë për përllogaritjen e detyrimeve doganore.
Me procedurën e re, referencat e çmimeve nga platformat e specializuara përdoren për të përcaktuar një vlerë mesatare të automjetit dhe nuk aplikohet më zbritja prej 20 për qind që parashikohej në formulën e mëparshme.
Një ndryshim që mund të rrisë faturën për qytetarët
Efekti financiar bëhet i dukshëm në rastet kur çmimi i referencës është dukshëm më i lartë se vlera e deklaruar e automjetit.
Në shembullin e paraqitur në dokumentin e ri, tre burime japin vlera prej 18,900, 19,300 dhe 19,100 euro. Mesatarja e këtyre çmimeve është 19,100 euro dhe kjo shumë merret si vlerë orientuese për zhdoganimin.
Me formulën e mëparshme, aplikimi i kufirit 80 për qind do të sillte një vlerë dukshëm më të ulët. Diferenca në këtë shembull arrin në 3,660 euro në bazën e vlerësimit.
Duke qenë se mbi këtë bazë llogaritet edhe TVSH-ja, ndryshimi i formulës përkthehet drejtpërdrejt në një pagesë më të lartë për importuesin. Në rastin konkret, vetëm TVSH-ja do të ishte rreth 732 euro më e lartë.
Nga metodë alternative në pjesë të procedurës
Një tjetër pikë që ngre diskutime është mënyra se si përdoren burimet e jashtme të informacionit.
Sipas praktikës së mëparshme, ato aktivizoheshin në rastet kur vlera e transaksionit të deklaruar nuk pranohej dhe nuk mund të zbatohej një nga metodat e tjera të përcaktimit të vlerës doganore.
Procedura e re parashikon një përdorim më të gjerë të këtyre burimeve, duke e bërë kërkimin e çmimeve të tregut pjesë të procesit të vlerësimit të automjeteve.
Kjo mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në praktikën e zhdoganimit, pasi vlera e automjetit mund të përcaktohet mbi bazën e referencave të tregut dhe jo vetëm mbi çmimin e deklaruar në dokumentet e blerjes.
Debati për kompetencat ligjore
Ndryshimi ka hapur gjithashtu debat mbi kompetencën për përcaktimin e bazës së taksimit.
Kritikët e urdhrit argumentojnë se heqja e zbritjes prej 20 për qind dhe ndryshimi i mënyrës së llogaritjes rrit në praktikë detyrimin fiskal të qytetarëve, ndonëse norma e TVSH-së nuk ndryshon.
Sipas këtij interpretimi, një ndryshim që sjell rritjen e bazës së tatueshme nuk duhet të realizohet përmes një urdhri administrativ, por duhet të ketë mbështetje të qartë në aktet me fuqi ligjore.
Nga ana tjetër, çështja kryesore mbetet mënyra se si do të zbatohet në praktikë procedura e re dhe raporti i saj me udhëzimin ekzistues të Ministrisë së Financave.
Nëse vlera e referencës përdoret në mënyrë sistematike, qytetarët që importojnë automjete mund të përballen me një bazë më të lartë vlerësimi dhe, rrjedhimisht, me detyrime më të larta në momentin e zhdoganimit./InfoNews.al

