TIRANË – Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin këtë të shtunë, ku një 58-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit me thikë nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, në një apartament në rrugën “Panorama”, në një kompleks banimi pranë shkollës “Harry Fultz”. Sipas të dhënave paraprake, Lumturie Patushi ndodhej në banesën e vajzës së saj, ku po kujdesej për dy nipërit e mitur, kur dyshohet se u sulmua me mjet prerës në pjesën e gjoksit.
58-vjeçarja u transportua me urgjencë drejt spitalit, por plagët e marra rezultuan fatale dhe ajo nuk mundi të mbijetonte.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe dy nipërit e viktimës, njëri prej tyre 14 vjeç, si dhe dhëndri i çiftit.
Hysni Patushi vret me thikë gruan në sy të nipit të mitur dhe arratiset drejt Burrelit
Për ngjarjen dyshohet se është përfshirë bashkëshorti i viktimës, Hysni Patushi, 69 vjeç. Pas krimit, ai u largua nga vendi i ngjarjes, por u lokalizua pak më vonë nga policia në Kamëz, ku edhe u kap. Ndërkohë, pranë vendit ku ndodhi ngjarja është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim.
Sipas informacioneve paraprake, 69-vjeçari dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Çifti banonte në zonën e Don Boskos dhe, sipas të dhënave të para, mes bashkëshortëve kishte pasur konflikte edhe më herët.
Dhëndri i çiftit është shoqëruar në polici, ku po merret në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Policia ka deklaruar paraprakisht se krimi dyshohet të ketë ardhur pas një konflikti në banesë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së saj dhe zbardhjen e motivit të vrasjes.


1 Koment
Pingback: Vrau gruan, dëshmia tronditëse e Hysni Patushit: Mirë ja bëra...nuk rrinte në shtëpinë tonë por tek vajza... - InfoNews Albania