FIER – Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, është përfshirë në një tjetër procedim penal për tjetërsim të dyshuar pronash. Këtë herë hetimi i Prokurorisë së Fierit lidhet me rreth 71.7 hektarë tokë në zonën e Levanit, për të cilat dyshohet se janë regjistruar në kundërshtim me faktin se për to ishte përfituar më herët kompensim financiar nga shteti.
Nga Semani te Levani! Ertis Shehu kërdi me pronat e Fierit, në pranga Ervin Habilaj dhe Emiljano Ruko
Për këtë dosje, Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg” për Ertis Shehun dhe Ervin Habilajn, ndërsa për ish-hartografin Emiljano Ruko është caktuar masa “detyrim për paraqitje”. Hetimet synojnë të zbardhin mënyrën se si janë regjistruar pasuritë dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Si dyshohet se u regjistruan 71.7 hektarët?
Sipas hetimit të Prokurorisë së Fierit, gjithçka lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përmes të cilit ishte njohur e drejta e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në Levan dhe Dërmenas.
Në vitin 2018, Ervin Habilaj, si një prej trashëgimtarëve përfitues, kishte marrë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave një kompensim financiar prej rreth 53.8 milionë lekësh.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, disa vite më vonë, në 2023, Habilaj dyshohet se ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh.
Në këtë proces, hetuesit dyshojnë se rol kanë pasur ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi Emiljano Ruko, përmes veprimeve të kryera gjatë shqyrtimit dhe trajtimit të dokumentacionit të pronave.
Pas regjistrimit, një pjesë e pasurive dyshohet se është shitur.
Gjatë hetimeve, Prokuroria ka vendosur nën sekuestro edhe një shumë prej 715,976 eurosh, e cila ndodhej në llogarinë bankare të Ervin Habilajt. Gjithashtu, sipas të dhënave të bëra publike, janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike që lidhen me hetimin. Hetimi i ri në Levan vjen vetëm pak ditë pasi emri i Ertis Shehut u bë pjesë e një tjetër dosjeje të Prokurorisë së Fierit, që lidhet me tjetërsimin e dyshuar të një sipërfaqeje shumë më të madhe toke në zonën e Semanit të Ri dhe Sheq Marinasit.
Në këtë procedim, të nisur në vitin 2025, Prokuroria dyshon se janë regjistruar dhe më pas tjetërsuar mbi 76 pasuri, me një sipërfaqe totale prej 1,143 hektarësh.
Sipas hetimeve, biznesmeni Kastriot Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Fier për të regjistruar tokat në bashkëpronësi të tij dhe të katër personave të tjerë.
Pas regjistrimit të pronave, Hasko dyshohet se është paraqitur si bashkëpronar dhe si përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë, duke përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar, përmes së cilës tokat iu shitën dy shoqërive të ndryshme.Në këtë dosje, përveç Ertis Shehut, janë arrestuar edhe ish-drejtori tjetër i Kadastrës së Fierit, Bardhyl Kapaj, juristi Piro Çela dhe biznesmeni Kastriot Hasko. Për të katër personat është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.
Prokuroria dyshon se zyrtarët e Kadastrës kanë regjistruar pasuritë në kundërshtim me ligjin, ndërsa gjatë hetimeve është konstatuar se për një prej pasurive është tejkaluar edhe sipërfaqja e përcaktuar në dokumentin e përdorur si titull pronësie.
Po ashtu, sipas hetimit, Ertis Shehu dhe Piro Çela dyshohet se kanë ndryshuar zërin kadastral të tokës, nga “tokë arë” në “tokë pa frut”, pa një akt administrativ përkatës.Kështu, emri i Ertis Shehut është tashmë pjesë e dy procedimeve të veçanta të Prokurorisë së Fierit për regjistrimin dhe tjetërsimin e dyshuar të pronave.
Dosja e parë lidhet me 1,143 hektarë në Seman të Ri dhe Sheq Marinas, ndërsa procedimi i ri fokusohet te 71.7 hektarë në Levan, ku hetuesit po shqyrtojnë edhe faktin se për pronën ishte përfituar më herët kompensim financiar nga shteti.
Hetimet për të dyja çështjet vijojnë, ndërsa masat e sigurisë ndaj personave të dyshuar janë pjesë e procedurave gjyqësore dhe nuk përbëjnë në vetvete një vendim përfundimtar mbi fajësinë e tyre.

