Kontrolli në Bradashesh, përplasje mes SPAK dhe Policisë së Burgjeve: Çfarë u gjet në sektorin ku mbahet Ergys Agasi
Detaje të reja janë zbardhur nga kontrolli i befasishëm i zhvilluar në paraburgimin e Bradasheshit, në sektorin ku mbahet i arrestuar Ergys Agasi.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se gjatë operacionit ka pasur edhe një përplasje mes hetuesve të SPAK dhe Policisë së Burgjeve lidhur me hapësirat ku duhej të përqendrohej kontrolli.
Sipas Lalës, Policia e Burgjeve kërkonte që kontrollet të kryheshin në qelinë e Agasit dhe në qelitë e tjera të sektorit. Nga ana tjetër, SPAK ka insistuar që verifikimet të shtriheshin edhe në kuzhinë dhe në ambientet e përbashkëta, pasi dyshohet se hetuesit kishin marrë informacion se aty mund të gjendeshin sende të palejuara.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar pije alkoolike, si edhe pajisje wireless. Pajisjet janë dërguar për ekspertim, ndërsa për pijet alkoolike materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, pasi ato konsiderohen sende të ndaluara në ambientet e paraburgimit.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është konfirmuar se sendet e sekuestruara i përkisnin Ergys Agasit. Ato janë gjetur në kuzhinën e sektorit ku ai mbahet i paraburgosur.
Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht në Durrës, pas disa muajsh në kërkim, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Ndaj tij janë ngritur disa akuza, mes tyre për shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

