Vetëvrasja e 36-vjeçarit/ Arrestohet ish-vjehrri, dyshime për konflikte dhe kërcënime
Policia ka arrestuar Sajmir Demirin, ish-vjehrrin e 36-vjeçarit Gerald Sefa, i cili i dha fund jetës pak ditë më parë.
Nga hetimet e kryera deri më tani dyshohet se Sefa, në ditët para ngjarjes, kishte pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me babain e ish-bashkëjetueses së tij. Sipas të dhënave të administruara nga grupi hetimor, 36-vjeçari kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies me vajzën e Demirit, ndërsa më pas dyshohet se ishte përballur me presion dhe kërcënime për të vijuar lidhjen.
Këto rrethana janë bërë pjesë e hetimit për të zbardhur motivet që çuan 36-vjeçarin drejt vetëflijimit. Hetuesit po verifikojnë nëse konfliktet, presioni dhe kërcënimet e dyshuara kanë ndikuar në gjendjen e tij dhe në vendimin ekstrem që ndërmori.
Në kuadër të hetimeve, Sajmir Demiri është arrestuar nga policia, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për konfliktet mes 36-vjeçarit dhe familjarëve të ish-bashkëjetueses së tij.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse presioni apo kërcënimet e dyshuara kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vetëflijimin e Gerald Sefës.

