Pas vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë ditën e djeshme, mëngjesin e kësaj të hëne forcat speciale RENEA zbarkuan në banesën e Ervis Lamit, një prej emrave më të kërkuar të botës së krimit për momentin.
Burime nga policia thanë se kontrollet në banesë nuk dhanë asnjë rezultat, për shkak se Lami nuk u gjet, ndërsa nuk u konstatuan dhe sende të paligjshme. Artan Myrtaj, i njohur si “Tani Ruzhdiut”, 44 vjeç sapo ishte liruar nga burgu kur u qëllua për vdekje në zemër të Sarandës, vetëm pak metra larg nga komisariati i policisë, ndërsa një kalimtar i rastit mbeti i plagosur.
Ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë, çfarë dihet për autorët
Ai dyshohej për përfshirje në ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025 në lagjen nr.4 Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza, shokë të ngushtë të Ervis Lamit.
Autor i plagosjes ishte Ramadan Zoto 44 vjeç, Artan Myrtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj dyshohen se ndihmuan Zoton arratisej pas krimit e për këtë arsye ndaj tyre rëndonte akuza e “përkrahjes së autorit të krimit”. Pas kësaj ngjarje u shënuan një sërë krimesh, përfshirë dhe atentati me tritol Isuf Jacaj, babai i Klaus Jacaj.

