Nga makina e SHISH-it te informacionet për operacionet e policisë, çfarë dyshohet se i siguronte Vlora Hyseni Ergys Agasit në arrati
Masa e “arrestit në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duket se hap një tjetër kapitull të hetimit të SPAK ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Sipas burimeve që ka siguruar InfoNews Albania, dyshimet e hetuesve nuk lidhen vetëm me komunikimet apo takimet mes dy personave, por me një seri veprimesh që, nëse provohen, do të tregonin se Hyseni mund të ketë përdorur aksesin që i jepte posti në krye të shërbimit informativ për t’i krijuar Agasit lehtësi gjatë kohës që ai ndodhej në arrati. Deklarata se Vlora Hyseni mund ti ketë vënë në dispozocion makina të ShISH Ergys Agasit u bënë edhe nga Gazetari Merin Maçi! Një nga pistat që po verifikohet lidhet me automjetet e SHISH-it dhe mundësinë që Agasi të ketë përdorur mjete të lidhura me drejtuesen e institucionit, në një periudhë kur ai kërkohej nga autoritetet. Ky pretendim është bërë publik edhe më herët pretendohet se Agasi lëvizte me një Audi A8 që i përkiste Vlora Hysenit.
Por, sipas burimeve të InfoNews Albania, çështja mund të jetë shumë më e gjerë se përdorimi i një automjeti.
Dyshimet e ngritura nga hetimi janë se Hyseni mund t’i ketë përcjellë Agasit edhe informacione të marra për shkak të funksionit të saj, përfshirë të dhëna që mund t’i shërbenin atij për të kuptuar lëvizjet e strukturave shtetërore dhe veprimet që po ndërmerreshin për lokalizimin apo kapjen e tij.
Detaji i ri që e bën këtë pistë veçanërisht të rëndësishme është se, gjatë arrestimit të Agasit është sekuestruar një hard disk, ku dyshohet se ndodhen edhe komunikime mes tij dhe Vlora Hysenit. Përmbajtja e plotë e këtyre komunikimeve nuk është bërë publike, ndërsa hetuesit po verifikojnë natyrën dhe përdorimin e informacionit që dyshohet se ka kaluar nga Hyseni te Agasi.
SPAK dyshon për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, ndërsa në kontrollet e zhvilluara në kuadër të hetimit janë raportuar edhe materiale të klasifikuara si sekret shtetëror.

