Banka JET/ Paratë e Forex? Si u trash kapitali nga 3 mln lekë në 26 milionë €! Ndryshoi emrin dhe manovra mes bosëve izraelit Louis Grant Silver e Idan Avishai
Nga një shoqëri me kapital fillestar prej 3.5 milionë lekësh, te një bankë me kapital 2.46 miliardë lekë brenda pak muajsh. Ndërkohë, pronësia kalon te një holding holandez, por në regjistrin e pronarëve përfitues Idan Avishai vijon të figurojë si kontrollues i 71.52% të kapitalit. Në strukturën e re shfaqen kompani nga Qiproja, Izraeli dhe Holanda, ndërsa disa prej emrave të lidhur me bankën kanë një histori të dokumentuar në aktivitetin Forex.
Historia e Banka Jet nis me shoqërinë “JET ALBANIA”, e cila kishte si ortak të vetëm dhe administrator Idan Avishai.
Më 31 korrik 2025, me vendim të asamblesë së ortakut të vetëm, Avishai u largua nga detyra e administratorit dhe në vend të tij u emërua Fatbardha Rino.
Por largimi i tij nga administrimi nuk do të nënkuptonte shkëputjen nga struktura e pronësisë. Sipas të dhënave të Regjistrit të Pronarëve Përfitues të depozituara në QKB, Avishai do të vijonte të figurojë më pas si pronar përfitues i një pjese dërrmuese të kapitalit të bankës.
Janar 2026: JET Albania bëhet Banka Jet
Më 19 janar 2026, me vendim të asamblesë së aksionarit të vetëm, emri i subjektit ndryshoi nga “JET ALBANIA” në “Banka Jet”.
Po atë datë u shtua edhe emri tregtar “Jet Bank”.
Ndryshimi i emrit shënoi një tjetër fazë të projektit, ndërsa në të njëjtën periudhë ndryshuan edhe strukturat drejtuese.
Në këshillin mbikëqyrës u shtuan Philippe Edgar Meyer, Robert Ryan Rudolph, Fatbardha Rino, Aigest Milo dhe Alketa Emini, me datë fillimi të funksioneve 19 janar 2026.
Në regjistrimet e mëvonshme pasqyrohet largimi nga këshilli i administrimit i Robert Ryan Rudolph, Alketa Emini, Fatbardha Rino dhe Philippe Edgar Meyer.
26 janar 2026: ndryshon pronari direkt
Një ditë pas ndryshimit të emrit tregtar dhe ligjor, ndodhi një tjetër lëvizje e rëndësishme në strukturën e pronësisë.
Sipas kontratës së shitblerjes së kuotave, të datës 26 janar 2026, Idan Avishai shiti 100% të kuotave që zotëronte në favor të shoqërisë Jet Holdings B.V.
Çmimi i shitjes ishte 972 mijë lekë.
Transaksioni u pasqyrua në QKB më 27 janar 2026. Avishai u largua si ortak dhe Jet Holdings B.V. u bë ortak i vetëm, me 100% të kuotave.
Në pamje të parë, kjo do të nënkuptonte largimin e Avishait nga pronësia direkte. Por dokumentet mbi pronësinë përfituese japin një tjetër tablo.
Avishai vijon të figurojë si pronar përfitues i 71.52%
Sipas Ekstraktit Historik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të depozituar në QKB më 16 shkurt 2026 dhe të tërhequr më 10 shtator 2026, Idan Avishai, shtetas anglez, rezulton pronar përfitues i 71.52% të kapitalit të Banka Jet.
Sipas këtij dokumentacioni, kontrolli ushtrohet përmes një zinxhiri shoqërish.
Avishai zotëron 100% të Constador LTD, shoqëri e regjistruar në Qipro me NIPT HE 478734.
Constador LTD zotëron 71.52% të Jet Holdings B.V.
Ndërkohë, Jet Holdings B.V. zotëron 100% të Banka Jet.
Jet Holdings B.V. është shoqëri e regjistruar sipas legjislacionit holandez, me seli në ‘s-Gravenhage dhe me numër regjistrimi 98334050.
Në regjistrin e pronarëve përfitues, data e përcaktimit të Idan Avishait si pronar përfitues është 8 korrik 2025.
Pra, ndërsa në janar 2026 Avishai largohet formalisht si ortak direkt i shoqërisë shqiptare, në regjistrin e pronarëve përfitues ai vijon të figurojë si kontrollues përfitues i 71.52% të Banka Jet përmes strukturës Constador LTD–Jet Holdings B.V.
Gjashtë kompani pas Jet Holdings
Struktura e Jet Holdings nuk përbëhet vetëm nga Constador LTD.
Sipas dokumentacionit të depozituar, Jet Holdings ka gjashtë shoqëri aksionare:
Constador LTD, e regjistruar në Qipro – rreth 71.5%;
Don Albania Holdings LTD, e regjistruar në Izrael – 3.7%;
Ori Eyal LTD, e regjistruar në Izrael – 2.6%;
Yebogogo LTD, e regjistruar në Izrael – 4.9%;
Nathan Lawrence LTD, e regjistruar në Izrael – 4.9%;
Israel Albania Holding LTD, e regjistruar në Izrael – 12.4%.
Kështu, pas aksionarit direkt, një shoqëri holandeze, shfaqet një strukturë e përbërë nga kompani të regjistruara në Qipro dhe Izrael, ndërsa pjesa kryesore e kontrollit lidhet me Constador LTD.
Nga 3.5 milionë në 2.46 miliardë lekë kapital
Një nga ndryshimet më të forta të Banka Jet gjatë vitit 2026 është rritja e kapitalit.
Kapitali themelues i shoqërisë ishte 3.5 milionë lekë. Por brenda pak muajsh kapitali u rrit disa herë.
Më 23 shkurt 2026, me vendim të aksionarit të vetëm, u miratua zmadhimi i kapitalit me 1.056 miliardë lekë, përmes kontributit në para të aksionarit të vetëm. Pas kësaj rritjeje, kapitali arriti në 1.0595 miliardë lekë.
Më 16 prill 2026, u miratua një tjetër rritje, prej 136.731 milionë lekësh, këtë herë përmes kapitalizimit të huasë, të konvertuar në lekë. Kapitali arriti në 1.196231 miliardë lekë.
Vetëm pak ditë më pas, më 22 prill 2026, u miratua një tjetër rritje, prej 382.040 milionë lekësh, përmes kontributit në para të aksionarit të vetëm. Kapitali arriti në 1.578271 miliardë lekë.
Më 5 qershor 2026, kapitalit iu shtuan edhe 336.015 milionë lekë, përmes kontributit në mjete likuide të aksionarit të vetëm. Kapitali u bë 1.914286 miliardë lekë.
Dhe më 25 gusht 2026, u miratua rritja e radhës, prej 551.1 milionë lekësh, sërish përmes kontributit të aksionarit të vetëm në mjete likuide.Pas kësaj rritjeje, kapitali i Banka Jet arriti në:
2.465386 miliardë lekë.
Pra, nga kapitali fillestar prej 3.5 milionë lekësh, shoqëria kaloi në një kapital prej rreth 2.46 miliardë lekësh, përmes pesë rritjeve të njëpasnjëshme gjatë vitit 2026.
Emrat pas bankës dhe lidhjet me Forex
Një tjetër element që bie në sy në këtë strukturë janë lidhjet profesionale të disa prej personave të përfshirë me aktivitetin Forex.
Louis Grant Silver, drejtor i Constador LTD, rezulton se ka një karrierë në investimet në valutë të huaj, të njohura si Forex.
Sipas materialeve të disponuara, Silver shërben ende si drejtues aktiv në Fortrade Limited, kompani që operon në këtë aktivitet.
Po ashtu, ortaku i tij Oliver Hemmer rezulton drejtues i Fortrade Cyprus, filiali qipriot i Fortrade.
Në këtë panoramë përfshihet edhe Idan Avishai, i cili, përveçse rezulton ende pronar përfitues i 71.52% të Banka Jet sipas regjistrit shqiptar, paraqitet i lidhur me Fortrade dhe me një eksperiencë të gjatë në aktivitetin Forex.
Këto lidhje janë veçanërisht të rëndësishme për t’u evidentuar për shkak të rolit që këta persona kanë ose kanë pasur në strukturat e lidhura me Banka Jet.
Pse hesht SPAK? Sani i JET Bank bankës izraelite ka kapur qeverinë? Fijet që Ahmetaj nxorri zbuluar
Një ndryshim formal, por pronësia përfituese mbetet në të njëjtat duar
Kronologjia e zhvillimeve tregon një transformim të shpejtë. Në korrik 2025, Idan Avishai largohet si administrator. Në janar 2026, shoqëria ndryshon emrin nga JET ALBANIA në Banka Jet, ndërsa shton emrin tregtar Jet Bank. Pak ditë më vonë, Avishai shet 100% të kuotave te Jet Holdings B.V. Por dokumenti i pronarëve përfitues i depozituar në QKB në shkurt dhe i tërhequr në shtator 2026 e identifikon sërish Avishain si pronar përfitues të 71.52% të Banka Jet, përmes Constador LTD dhe Jet Holdings B.V. Ndërkohë, kapitali i bankës rritet nga 3.5 milionë lekë në 2.465 miliardë lekë, ndërsa në strukturën e saj shfaqen kompani nga Holanda, Qiproja dhe Izraeli.
Dhe mbi këtë strukturë, një tjetër pikë që kërkon vëmendje janë lidhjet e disa prej personave kryesorë me industrinë Forex, ku përfshihen emra si Louis Grant Silver, Oliver Hemmer dhe Idan Avishai. Në këtë kuptim, historia e Banka Jet nuk është thjesht historia e një ndryshimi emri. Brenda pak muajsh kemi një ndryshim të pronarit direkt, një strukturë të re ndërkombëtare të pronësisë, ndryshime në organet drejtuese dhe një rritje të jashtëzakonshme të kapitalit, ndërsa pronësia përfituese e pjesës kryesore të bankës vijon të lidhet, sipas dokumenteve të depozituara, me Idan Avishain. Kjo strukturë ngre pikëpyetje legjitime për transparencën e pronësisë, origjinën dhe mënyrën e injektimit të kapitalit, si dhe për marrëdhëniet e personave që qëndrojnë pas bankës me aktivitetin Forex. Pikërisht këto elemente e bëjnë të nevojshme që struktura e kontrollit dhe historiku i saj të shihen përtej ndryshimeve thjesht formale në regjistrat e kompanive.

