Dita e tretë e protestës së studentëve është shoqëruar me tensione dhe përplasje në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit, pavarësisht thirrjes së kryeministrit Edi Rama për dialog.
Ndryshe nga dy ditët e para, protesta është përhapur edhe në Durrës, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës, ku janë raportuar përplasje mes studentëve dhe efektivëve të policisë.
Në kryeqytet, situata është tensionuar pasi protestuesit kanë qëlluar me gurë drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më pas kanë marshuar në disa akse rrugore të Tiranës.
Gjatë marshimit, studentët kanë drejtuar protestën drejt selisë së Partisë Socialiste, Bankës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, janë raportuar djegie të bankomateve të disa bankave të nivelit të dytë.
Më pas, protestuesit janë zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të godinës. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, deri në këtë moment, kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar lidhur me ultimatumin e studentëve për dorëheqjen e tij, afati i të cilit ka përfunduar në orën 13:00.

