Në Shqipëri, efektivët e Forcave Speciale Franceze, BRI kanë ndarë ekspertizën dhe përvojën e tyre me homologët shqiptarë, në kuadër të një trajnimi të përbashkët që është fokusuar në disa prej elementeve thelbësore të punës së forcave operacionale dhe hetimeve: survejimin, ndjekje operative dhe teknikat e ndërhyrjes.
Njohuritë profesionale, teknikat e specializuara dhe përvojat e fituara në terren janë bërë pjesë e këtij bashkëpunimi, me synimin për të forcuar më tej kapacitetet dhe ndërveprimin operacional mes dy palëve.
Burime për InfoNews bëjnë me dije se gjatë këtij trajnimi të përbashkët, Forcat Operacionale Shqiptare, të drejtuara nga Alban Dauti, kanë treguar një performancë shumë të lartë. Sipas këtyre burimeve, në disa prej etapave të trajnimit, efektivët shqiptarë kanë shënuar rezultate më të larta se homologët e forcave speciale franceze.
Rezultatet më të mira të palës shqiptare, sipas burimeve, janë evidentuar kryesisht në punën në terren, përfshirë simulimet e arrestimeve dhe operacionet e shpëtimit, si edhe në organizimin dhe koordinimin e ndërhyrjeve në situata me persona të armatosur.
Nga ana tjetër, efektivët francezë kanë spikatur më shumë në përdorimin e teknologjisë dhe të mjeteve të specializuara që përdoren për planifikimin dhe organizimin e operacioneve.
Trajnimi ka shërbyer kështu jo vetëm si një mundësi për shkëmbimin e eksperiencave dhe teknikave, por edhe si një test praktik i kapaciteteve të dy strukturave, duke nxjerrë në pah pikat e forta dhe eksperiencat e ndryshme operative të forcave shqiptare dhe franceze.
Bashkëpunimi synon të kontribuojë në një koordinim gjithnjë e më të efektshëm dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe hetimit.

