Një përplasje e dyshuar për kontrollin e trafikut të drogës po trondit prej javësh zonën e Vittorias, në provincën e Raguzës, në juglindje të Siçilisë.
Sipas një investigimi të gazetarit Giuseppe Bascietto, publikuar nga “Gli Stati Generali”, gjatë muajve korrik-gusht 2026 në territor është shfaqur një konflikt mes një grupi të lidhur me Giovanni Gurrierin dhe një rrjeti shqiptar që, sipas medias italiane, ka konsoliduar aktivitetin e tij në Vittoria, Santa Croce Camerina dhe përgjatë bregdetit të Raguzës.
Rindërtimi mediatik përmend një seri episodesh të dhunshme, përfshirë kërcënime, agresione, djegien e një automjeti dhe një përleshje në një lokal. Megjithatë, bëhet e qartë se informacionet e publikuara bazohen në burime të cituara nga media italiane dhe nuk përbëjnë, në vetvete, prova gjyqësore.
Në qendër të investigimit janë dy shtetas shqiptarë, Auglent “Denny” Lalollari dhe Luzim Ndreu, i njohur me nofkën “Giuliu ’u Tistuni”.
Italianët sherr me shqiptarët, prishen pazaret e drogës në Siçili
Sipas burimeve të cituara nga “Gli Stati Generali”, të dy do të ishin pjesë e të njëjtit ambient kriminal. Në disa dëshmi ata përshkruhen si “xhaxhai dhe nipi”, por kjo shprehje, siç thekson media italiane, nuk përbën provë për një lidhje familjare dhe mund të lidhet me diferencën në moshë apo me rolin që secili ka në këtë grup.
Si nisi përplasja
Sipas rindërtimit të publikuar, konflikti dyshohet se nisi në lokalin “La Lucciola”, ku Giovanni Gurrieri u ka kërkuar disa personave, të cilët burimet i lidhin me Luzim Ndreun, të ndërprisnin aktivitetin e drogës.
Gurrieri më pas dyshohet se ka kërkuar një takim me personin që konsiderohej si drejtues i këtij grupi. Pas refuzimit të takimit, një automjet që i përkiste Ndreut dyshohet se është djegur.
Pak më vonë, po në ambientet e “La Lucciola”, Ndreu dyshohet se është përfshirë në një përplasje fizike me Gurrierin.
Por konflikti, sipas investigimit, nuk është kufizuar vetëm te këto episode.
Në material përmenden edhe vëllezërit Di Modica, të cilët media italiane i përshkruan si persona të afërt me klanin Matriali dhe me një figurë të njohur me nofkën “u Puorcu”. Sipas të njëjtit rindërtim, ata dyshohet se janë sulmuar në banesat e tyre, edhe në prani të familjarëve.
Njëri prej tyre, Aurelio Di Modica, rezulton sipas investigimit i pandehur në të njëjtin proces gjyqësor ku figuron edhe Auglent Lalollari.
Përpjekje për të ndryshuar ekuilibrat kriminalë
Sipas “Gli Stati Generali”, përplasjet e muajve të fundit mund të jenë pjesë e një beteje më të gjerë për kontrollin e territorit dhe të trafikut të drogës në zonën e Raguzës.
Media italiane e interpreton situatën si një përpjekje të grupit të lidhur me Gurrierin për të ndryshuar ekuilibrat ekzistues kriminalë në territor, ku grupet lokale dhe rrjeti shqiptar, sipas investigimit, ruajnë autonominë e tyre, por në të njëjtën kohë kanë interesa dhe marrëdhënie të përbashkëta.
Për momentin, këto janë rindërtime të bazuara në burime të cituara nga media italiane dhe nuk duhet të konsiderohen si fakte të provuara gjyqësisht. Hetimet dhe proceset përkatëse do të jenë ato që mund të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete të personave të përmendur.
Sipas “Gli Stati Generali”, investigimi pritet të vijojë me detaje të tjera mbi Luzim Ndreun, Auglent Lalollarin dhe mënyrën se si dyshohet se funksionon rrjeti kriminal shqiptar në juglindje të Siçilisë.
Burimi: Gli Stati Generali

