Qytetarët që kanë një kërkesë të depozituar prej kohësh në Kadastër, por ende nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare, do të preken edhe ata nga ndryshimet e fundit të qeverisë për objektet pa titull pronësie, trojet funksionale dhe oborret në përdorim.
Rregullat e reja nuk do të zbatohen vetëm për aplikimet që do të bëhen në të ardhmen. Ato shtrihen edhe mbi kërkesat e paraqitura më herët, me kusht që procedura administrative për to të mos jetë mbyllur me një vendim përfundimtar.
Në praktikë, kjo i jep ASHK-së mundësinë që dosjet ende të hapura t’i trajtojë sipas kuadrit të ri, duke marrë në konsideratë edhe mënyrën e re të evidentimit të sipërfaqes së përdorur.
Pronat pa dokumente, kush përfiton deri në 300 m² dhe si vepron Kadastra
Çfarë ndodh me një dosje të dorëzuar më parë?
Një qytetar që ka aplikuar vite më parë për dokumentin e pronësisë nuk e ka domosdoshmërisht të garantuar që kërkesa e tij do të përfundojë me rregullat që ishin në fuqi në momentin e aplikimit.
Nëse shqyrtimi administrativ nuk ka përfunduar, dosja do të vijojë të trajtohet në bazë të ndryshimeve të miratuara tashmë.
Kjo përfshin edhe verifikimin e sipërfaqes që përdoret nga poseduesi, mënyrën e përcaktimit të posedimit efektiv, kufirin e sipërfaqes që mund të kalojë në pronësi dhe mënyrën e pagesës, në varësi të statusit juridik të tokës.
Deri në 300 metra katrorë
Në qendër të procedurës është trualli funksional ose oborri që përdoret së bashku me objektin.
Nëse plotësohen kriteret ligjore, ASHK-ja mund të kalojë në pronësi deri në 300 metra katrorë sipërfaqe.
Për përcaktimin e posedimit efektiv, rregullat e reja i japin rëndësi gjendjes faktike në terren. Rrethimi i sipërfaqes, kur konstatohet gjatë kontrollit nga punonjësit e Kadastrës, shërben si element për të përcaktuar hapësirën që përdoret realisht.
Kjo nuk do të thotë se një gardh i vendosur në tokë është vetë dokument pronësie. Para se të merret vendimi, duhet të verifikohen objekti, koha e ndërtimit, kufijtë, poseduesi dhe statusi juridik i truallit.
Kur toka kalon pa pagesë?
Statusi i pronësisë së truallit përcakton edhe nëse qytetari duhet të paguajë.
Kur toka është shtetërore, ka pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion të disponueshëm për pronësinë, sipërfaqja deri në 300 m² mund të kalojë në pronësi pa pagesë.
Ndërsa nëse toka është private dhe rezulton në pronësi të një personi tjetër, procedura nuk është falas.
Në këtë rast, poseduesi duhet të paguajë vlerën e përcaktuar për truallin, sipas çmimit favorizues dhe lehtësive që parashikon ligji nr. 20/2020. Pronari i regjistruar trajtohet sipas rregullave përkatëse të kompensimit.
Në rastet kur një parcelë ka përbërje të përzier, pra një pjesë shtetërore dhe një pjesë private, sipërfaqja që mund të kalojë në pronësi mund të jetë më e vogël se 300 m², në mënyrë që të shmanget prekja e pronës private.
E gëzon zabtuesi! Kadastra u jep hipotekë për pronat e rrethuara
Rrethimi bëhet pjesë e verifikimit
Ndryshimi që mund të ketë ndikimin më të drejtpërdrejtë në terren lidhet me mënyrën e përcaktimit të “posedimit efektiv”.
Në vend që të mbështetet vetëm te deklarimi i qytetarit, ASHK-ja do të kontrollojë gjendjen faktike të pronës. Rrethimi i konstatuar gjatë verifikimit përdoret për të përcaktuar sipërfaqen që pretendohet se është në përdorim.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për pronat e vjetra, ku dokumentacioni mungon ose kufijtë e parcelave nuk janë të qartë.
Megjithatë, në rast se ka konflikt për kufijtë, mbivendosje ose pretendime nga persona të tjerë, Kadastra duhet të marrë në shqyrtim edhe të dhënat dhe të drejtat e palëve të treta.
Jo çdo tokë e rrethuar bëhet pronë
Ndryshimet nuk krijojnë një të drejtë automatike për çdo person që përdor një sipërfaqe të rrethuar.
Përfituesit kryesorë janë poseduesit e objekteve të ndërtuara deri më 10 gusht 1991, të cilët nuk disponojnë titull pronësie, si edhe qytetarët që kanë dokumentacion për banesën, por jo për oborrin apo truallin funksional që përdorin.
Edhe në këto raste, vendimi final i takon ASHK-së pas verifikimit të kushteve ligjore dhe gjendjes së pronës.
Kadastra mund ta nisë vetë procesin
Një tjetër element i rëndësishëm është se procedura nuk duhet të nisë gjithmonë nga qytetari.
ASHK-ja mund të evidentojë vetë rastet gjatë regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonave kadastrale ose kontrolleve të organizuara sipas blloqeve të përcaktuara në planveprim.
Kjo hap mundësinë që kontrollet të kryhen në terren në mënyrë sistematike, duke identifikuar banesat dhe sipërfaqet që mund të përfshihen në procedurë.
Qytetari mund të paraqesë gjithashtu kërkesë individuale nëpërmjet platformës “e-Albania”.
Sa kushton aplikimi?
Për personat që aplikojnë vetë përmes “e-Albania”, tarifa e shërbimit është 10 mijë lekë.
Kjo shumë paguhet për procedurën e aplikimit dhe nuk rimbursohet në rast se kërkesa nuk miratohet nga ASHK-ja.
Kur procesi nis kryesisht nga Kadastra gjatë verifikimeve të saj, për objektet e banimit nuk aplikohet kjo tarifë.
Çfarë ndodh kur poseduesi nuk gjendet?
Rregullat parashikojnë edhe një procedurë për rastet kur ASHK-ja identifikon një pronë në terren, por nuk arrin të gjejë personin që e posedon.
Në një situatë të tillë, të dhënat publikohen për 30 ditë në njësinë administrative, në drejtorinë vendore të Kadastrës dhe në faqen e ASHK-së.
Nëse brenda këtij afati paraqitet një person që pretendon posedimin dhe kjo vërtetohet gjatë procedurës, shqyrtimi mund të vijojë në emrin e tij.
Edhe pas përfundimit të afatit të publikimit, qytetari ruan mundësinë për të paraqitur kërkesë nëpërmjet “e-Albania”.
Çfarë duhet të kenë parasysh aplikantët e vjetër?
Për ata që kanë një dosje të hapur në Kadastër, ndryshimi kryesor është se procedura nuk do të mbetet domosdoshmërisht e lidhur me kriteret që ekzistonin në momentin e aplikimit.
Nëse ende nuk ka një vendim përfundimtar, ASHK-ja do të marrë parasysh rregullat e reja për përcaktimin e posedimit, sipërfaqen deri në 300 m², statusin e truallit dhe mënyrën e kalimit të pronësisë.

