Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Jonaid Myzyri, vijon të prodhojë procedura prokurimi që ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si përzgjidhen fituesit. Këtë herë, në qendër është një tender për mbrojtjen nga gërryerjet e lumit Drin në Shkodër, ku ofertat më të lira u skualifikuan, ndërsa gara përfundoi me një tjetër detaj të pazakontë, dy bashkime të ndryshme kompanish paraqitën oferta me të njëjtën vlerë, deri në lekun e fundit.
Procedura ka një fond limit prej 242.8 milionë lekësh, ose rreth 2.5 milionë euro. Për këtë shumë shfaqën interes 12 operatorë ekonomikë, por tre prej ofertave me vlerën më të ulët u skualifikuan nga gara pasi u konsideruan anomalisht të ulëta.
Në fund, fitues u shpall bashkimi i operatorëve “ULZA” dhe “G.P.G”, me një ofertë prej 177 milionë e 238 mijë e 950 lekësh.
Deri këtu mund të dukej si një tjetër procedurë ku ofertuesit më të lirë nuk kanë arritur të kalojnë filtrat e autoritetit kontraktor. Por dokumentet e garës nxjerrin në pah një koincidencë që meriton vëmendje.
Në të njëjtën procedurë konkurronte edhe bashkimi i operatorëve “Shëndelli” dhe “METEO”. Oferta e tyre ishte po 177 milionë e 238 mijë e 950 lekë.
Pra, dy bashkime të ndryshme kompanish, që në parim duhet të përgatisin në mënyrë të pavarur preventivët dhe ofertat e tyre ekonomike, kanë mbërritur në të njëjtën shifër, jo vetëm në milionë apo mijëra lekë, por deri në lekun e fundit.
Një përkim i tillë ngre një pyetje që institucionet përgjegjëse duhet ta sqarojnë: si përfunduan dy konkurrentë të ndryshëm në ekzaktësisht të njëjtën ofertë ekonomike?
Pikëpyetjet bëhen edhe më të forta kur shihet historia e afërt e kompanive të përfshira.
Vetëm pak ditë më parë, “ULZA” dhe “METEO”, që në tenderin e Drinit gjenden në dy bashkime të ndryshme operatorësh, kishin qenë në të njëjtën anë të tavolinës. Ato konkurruan së bashku në një Joint Venture, së bashku me kompaninë ASI-2A, për rikonstruksionin e Spitalit të Matit.opo,
Bëhet fjalë për një tjetër tender me vlerë rreth 3.7 milionë euro.
Në atë procedurë, “ULZA”, “METEO” dhe ASI-2A paraqitën së bashku një ofertë prej rreth 3 milionë eurosh, por nuk arritën të fitonin. Kontrata iu dha një operatori që kishte paraqitur një ofertë rreth 600 mijë euro më të ulët. Bashkimi ku bëjnë pjesë “ULZA” dhe “METEO” e ka kundërshtuar rezultatin në Komisionin e Prokurimit Publik.
Kështu, brenda një periudhe të shkurtër, dy kompanitë shfaqen fillimisht si partnere në të njëjtën ofertë, ndërsa më pas, në tenderin për lumin Drin, gjenden në bashkime të ndryshme operatorësh që paraqesin pikërisht të njëjtën ofertë financiare.
Është pikërisht kjo marrëdhënie që e bën rastin të denjë për verifikim nga institucionet që mbikëqyrin konkurrencën. Ligji ndalon marrëveshjet mes operatorëve ekonomikë që kanë për objekt ose pasojë pengimin, kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës. Nëse ka pasur apo jo një koordinim të tillë në këtë rast, kjo nuk mund të përcaktohet vetëm nga përkimi i ofertave, por kërkon hetim të dokumenteve dhe komunikimeve mes operatorëve.
“ULZA”, nga Unaza e Burrelit te tenderi i Drinit dhe Paqësor Buzai në dosjen e SPAK
Emri i kompanisë “ULZA” nuk shfaqet për herë të parë në një tender që shkakton debat.
Kompania lidhet me punimet në Unazën e Burrelit, një investim që u dëmtua rëndë pak kohë pas përfundimit të punimeve, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e zbatimit të projektit dhe përdorimin e parave publike.
Pas “ULZA”-s qëndrojnë Ndue dhe Nikolin Shpani. Kompania ka një aktivitet të konsiderueshëm në punët publike, veçanërisht në zonën e Matit.
Tashmë ajo del fituese edhe në Shkodër, në një kontratë prej mbi 177 milionë lekësh për mbrojtjen e lumit Drin nga gërryerjet, pasi tre oferta më të lira u përjashtuan nga procedura.
Ndërsa biznesmeni Paqsor Buzi dhe kompania e tij G.P.G. COMPANY janë pjesë e dosjes “Balluku” në SPAK, e cila po heton skemat e abuzimit me tenderat publikë në infrastrukturë dhe rrugë. Dyshohet se përmes bashkëpunimit me zyrtarë të linjës në ARRSH dhe KESH, kompania e Buzit ka përfituar rreth 160 milionë euro fonde publike përmes procedurave me dyshime të forta për manipulim dokumentesh dhe gara fiktive, të cilat po analizohen nga hetuesit pas sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe telefonave të zyrtarëve të implikuar.
Rasti i tenderit për mbrojtjen nga gërryerjet e lumit Drin përmban disa elemente që meritojnë verifikim, tre oferta më ekonomike të skualifikuara, dy oferta fituese-konkurruese identike deri në lekun e fundit dhe dy kompani që vetëm pak ditë më parë kishin konkurruar së bashku në një tjetër tender publik.
Autoriteti i Konkurrencës dhe institucionet e tjera përgjegjëse kanë mundësinë të verifikojnë nëse kemi përpara një rastësi të pazakontë të tregut, apo nëse pas shifrës 177,238,950 lekë, të shkruar dy herë nga dy bashkime të ndryshme kompanish, fshihet diçka më shumë.





