Prokuroria e Posaçme thotë se, në kuadër të hetimit për ngërçin e pagave të njerëzve të drejtësisë, deri tani janë administruar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e KLP-së dhe KLGJ-së, shkresat e Prokurorisë së Përgjithshme për listëpagesat dhe listëpagesat e anuluara nga Ministria e Financave, si dhe gjurmët elektronike të sistemit të Thesarit. Ndërkohë, ka nisur marrja në pyetje e personave që kanë dijeni për çështjen. E para që është thirrur është Elmira Peto, përfaqësuese e Thesarit, e cila ndodhet në SPAK. Pas saj do të merren në pyetje zyrtarë të Ministrisë së Financave.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimin, në lidhje me ngërçin e krijuar me pagat e magjistratëve.
Në këtë kuadër, raportohet se SPAK ka sekuestruar praktikat dhe dokumentacionin përkatës pranë Ministrisë së Financave.
Hetimi lidhet me kallëzimin penal të depozituar nga gjyqtarët për mosekzekutimin e pagave. Kryetarët e 18 gjykatave të vendit dhe dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët kallëzuan në Prokurorinë e Posaçme ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe 15 zyrtarë të degëve të Thesarit, duke i akuzuar ata për bllokimin e pagesave të magjistratëve dhe administratës gjyqësorë për muajin gusht. Në kallëzimin e nënshkruar nga kryetarët e gjykatave kërkohet fillimi i hetimeve ndaj ministrit Malaj, drejtorit të Thesarit, Gentian Këri dhe 14 zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

