GREQI – Gjurmët e fundit të Alket Rizait pas arratisjes nga burgu i Domokosit janë lokalizuar në Greqinë Veriore, ndërsa autoritetet greke po hetojnë edhe pistën që 47-vjeçari mund të jetë larguar drejt Shqipërisë përmes një kalimi të paligjshëm të kufirit. Deri tani, kjo mundësi nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Rizai nuk u kthye në burg më 14 shtator, në përfundim të një lejeje shtatëditore që kishte marrë më 7 shtator. Ishte hera e 16-të që ai përfitonte një leje gjatë pesë viteve të fundit dhe, sipas raportimeve greke, në të gjitha rastet e mëparshme ishte kthyer në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Këtë herë, situata ndryshoi pas një incidenti me armë në një lokal plazhi në Anavyssos, në orët e para të 13 shtatorit.
Sipas mediave greke, Rizai ndodhej në lokal së bashku me dy persona të tjerë. Rreth orës 05:00, ata dolën në parking dhe vendosën muzikë me zë të lartë në automjet. Pas ndërhyrjes së pronarit të lokalit, mes palëve nisi një debat që më pas u përshkallëzua në përplasje fizike.
Në këtë moment, Rizai dyshohet se ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në ajër. Më pas, një shtetas afgan, i cili dyshohet se punonte si roje sigurie, ka hapur zjarr në drejtim të tij.
Theu sistemin! Alket Rizai u del grekëve në një tjetër vrasje brenda në burg…
Nga shkëmbimi i të shtënave mbetën të plagosur dy punonjës të lokalit, një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez.
Pas incidentit, Rizai u largua me automjet së bashku me dy personat që e shoqëronin. Një ditë më vonë, më 14 shtator, ai nuk u paraqit në burg në përfundim të lejes dhe u shpall në kërkim.
Emri i Rizait del edhe në një vrasje brenda burgut
Ndërsa policia greke vijon kërkimet për kapjen e tij, emri i Alket Rizait është përmendur edhe në një tjetër hetim të rëndë që lidhet me burgun e Domokosit.
Bëhet fjalë për vrasjen e të burgosurit Antonis Papadatos, më 15 shkurt 2026. Sipas televizionit grek SKAI, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje e kanë vendosur Rizain në ambientet pranë vendit ku ndodhi krimi.
Papadatos u qëllua me tre plumba në kokë, ndërsa për vrasjen akuzohet një i burgosur bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas pamjeve të kamerave, i burgosuri bullgar e kishte nxjerrë Papadatosin nga sektori ku qëndronte dhe e kishte shoqëruar drejt zyrës së shefit të sigurisë. Në të njëjtën kohë, në drejtim të këtij ambienti kishte shkuar edhe Rizai, i shoqëruar nga disa të burgosur të tjerë.
Kamerat kanë regjistruar gjithashtu një moment kur shefi i sigurisë përqafohet me Rizain. Më pas, Papadatos është dërguar në një dhomë ku nuk kishte kamera sigurie. Pikërisht aty ndodhën të shtënat fatale.
Një punonjës i burgut ka dhënë një dëshmi që është bërë pjesë e hetimit. Ai ka deklaruar se, pasi dëgjoi të shtënat, pa Alket Rizain të dilte nga ambienti i ish-zyrës së shefit të sigurisë.
Rizai e mohon këtë version dhe ka deklaruar se nuk ndodhej brenda dhomës në momentin kur u krye vrasja.
Gjurmë gjaku dhe baruti
Sipas raportimeve të SKAI-t, ekspertët kriminalistikë kanë evidentuar gjurmë gjaku në këpucët e Rizait dhe gjurmë baruti në rrobat e tij.
Megjithatë, pavarësisht këtyre elementeve dhe dëshmive të administruara në dosje, Rizai nuk është akuzuar për vrasjen e Papadatosit. Në këtë procedim, ai ka statusin e dëshmitarit.
Alket Rizai shqiptari që theu sistemin grek të burgjeve! Si arriti të marrë 17 herë leje
I burgosuri bullgar që akuzohet për vrasjen ka pranuar përgjegjësinë për të shtënat. Ai ka pretenduar se Papadatos kishte tentuar të vriste shefin e sigurisë dhe se arma ishte shkrepur gjatë përpjekjes për ta çarmatosur.
Ky version po verifikohet nga autoritetet greke. Sipas SKAI-t, policia dhe gjyqtari hetues dyshojnë gjithashtu se vrasja mund të ketë qenë një ekzekutim i porositur.
Në hetim është përfshirë edhe shefi i sigurisë së burgut, i cili ndodhej në ambientet ku ndodhi ngjarja dhe dyshohet se ka dhënë dëshmi kontradiktore.
A është larguar drejt Shqipërisë?
Kërkimi për Alket Rizain vijon, ndërsa një nga pistat që po shqyrtojnë autoritetet greke është largimi i tij nga territori i Greqisë.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, sinjali i fundit i vendndodhjes së tij është regjistruar në veri të Greqisë. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që prej aty ai të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë, por kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Rizai konsiderohet aktualisht i arratisur, ndërsa autoritetet greke vijojnë kontrollet dhe kërkimet për lokalizimin e tij. Krahas arratisjes, hetuesit po analizojnë edhe lidhjet e tij të mundshme me incidentin me armë në Anavyssos dhe me ngjarjen e rëndë të ndodhur më herët në burgun e Domokosit.

