Vetëm tre ditë pasi mori zyrtarisht detyrën si ministër i Brendshëm, Ervin Demo ka zgjedhur të nisë mandatin e tij me një ndërhyrje të fortë në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.
Pas vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë, Demo ka kryer një mbledhje me Drejtorin e Policisë dhe, sipas raportimeve, ka kërkuar shkrirjen e zinxhirit drejtues të strukturave policore në Sarandë, si dhe ngritjen e një Task-Force të posaçme për hetimin e kriminalitetit në qytet.
Reagimi është i kuptueshëm përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale. Por mënyra se si është ndërhyrë ngre një pyetje shumë më të madhe: ku mbaron përgjegjësia politike e ministrit dhe ku fillon kompetenca profesionale e drejtimit të Policisë së Shtetit? Kush komandon Policinë?
Pa dashur për tu ndalur tek formalitetet, por për mënyrën se si funksionon një polici profesionale në një shtet demokratik. Ligji për Policinë e Shtetit përcakton një strukturë hierarkike ku Drejtoria e Përgjithshme është struktura qendrore dhe drejtoritë vendore, komisariatet e strukturat e tjera janë pjesë e këtij zinxhiri organizativ. Rregullorja përkatëse parashikon gjithashtu se për funksionet e gradave të larta emërimi kalon përmes vendimmarrjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Pra, pyetja nuk është nëse ministri ka të drejtë të kërkojë rezultate nga Policia, pasi Sigurisht që ka. Ministria e Brendshme ka përgjegjësi shtetërore për politikat e rendit dhe sigurisë publike por pyetja tjetër është:
A mund të kthehet ministri nga posti politik i sigurisë në një drejtues të drejtpërdrejtë të strukturave policore? Këtu qëndron problemi.
Ironia është se kjo vijë ndarëse është vendosur nnga vetë kryeministri Edi Rama. Në prezantimin e Albana Koçiut si ministre e Brendshme në vitin 2025, Rama deklaroi qartë se Ministria e Brendshme nuk bën punë policore dhe se ministri i Brendshëm nuk është “kryepolici i vendit”. Ai e lidhi këtë edhe me nevojën për ndryshimin e profilit të ministrit dhe ndarjen më të qartë të përgjegjësive institucionale.
Situata e sotme ka një kontradiktë nëse ministri kërkon rezultate, përgjegjësi, plane konkrete dhe masa për përmirësimin e sigurisë, kjo është pjesë e rolit të tij politik. Por nëse ai fillon të përcaktojë drejtpërdrejt se cilët drejtues policie duhet të largohen dhe cilët duhet të qëndrojnë, atëherë lind pyetja nëse po zgjerohet roli i ministrit përtej atij që Rama vetë e ka përshkruar.
Ngjarja ishte e rëndë, por përgjegjësia nuk mund të përcaktohet me nxitim. Vrasja e Artan Myrtajt ishte një ngjarje e rëndë dhe fakti që ajo ndodhi pranë komisariatit të Sarandës ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet mbi reagimin e strukturave lokale. Por një ngjarje e rëndë nuk do të thotë automatikisht se i gjithë zinxhiri drejtues është përgjegjës për të. Dhe këtu qëndron shqetësimi për një politikë që nis me shkarkime përpara se të përfundojë analiza e situatës.
Vetë Policia e Shtetit, ka njoftuar se po kryhet rivlerësimi i performancës së zinxhirit drejtues të Komisariatit të Sarandës dhe i efektivëve të roleve të ndryshme, duke theksuar se në bazë të performancës do të ndërmerren veprimet përkatëse. Pra Fillimisht vlerësim, pastaj përgjegjësi.
Drejtuesi aktual i Komisariatit të Sarandës, ka rreth dy muaj në këtë detyrë. Në këtë periudhë, janë zhvilluar aksione kundër personave me precedentë kriminalë dhe grupeve të dyshuara për shpërndarje narkotikësh. Nëse këto të dhëna qëndrojnë, atëherë një analizë serioze nuk mund të nisë thjesht nga pyetja: “Kush ishte në krye kur ndodhi vrasja?”
Një ministër i ri ka të drejtë të kërkojë rezultate. Madje, është detyrimi i tij politik të kërkojë rezultate.
Por reforma e Policisë nuk bëhet me mesazhin se pas çdo ngjarjeje të rëndë do të shkrihet zinxhiri drejtues.
Sepse nëse kjo bëhet standardi, atëherë policia rrezikon të funksionojë me frikën e shkarkimit pas çdo ngjarjeje kriminale, dhe jo me përgjegjësinë profesionale përpara ligjit dhe strukturave të saj drejtuese. Përndryshe, një ngjarje kriminale kthehet në justifikim për një spastrim administrativ. Dhe kjo do të ishte edhe më problematike nëse ministri do të fillonte të ndërhynte drejtpërdrejt në zinxhirin komandues të Policisë.

