Close Menu
InfoNews AlbaniaInfoNews Albania

    Subscribe to Updates

    Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.

    What's Hot

    iPhone me metal të lëngshëm: Modeli më i shtrenjtë i palosshëm që arrin 19,000 dollarë

    03.10.2026

    Përmbysje historike! Benzina bie nën 50% në mbarë botën

    03.10.2026

    U vranë në një ceremoni magjie të zezë…zhdukja misterioze e çiftit britanik në Afrikën e Jugut

    03.10.2026
    Facebook Instagram
    InfoNews AlbaniaInfoNews Albania
    • Kreu
    • Aktualitet
    • Investigim
    • Sport
    • Bota
    • Editorial
    Facebook Instagram
    InfoNews AlbaniaInfoNews Albania
    Kreu»Aktualitet»Cila është e vërteta pas shpërthimit të ndërtimeve në Shqipëri?

    Cila është e vërteta pas shpërthimit të ndërtimeve në Shqipëri?

    Aktualitet Nga InfoNews03.10.2026Pa Komente
    Ndaj Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link
    Cila është e vërteta pas shpërthimit të ndërtimeve në Shqipëri?
    Cila është e vërteta pas shpërthimit të ndërtimeve në Shqipëri?
    Ndaj
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email Copy Link

    Oliver Wainwright, kritik i arkitekturës në gazetën prestigjoze “The Guardian” publikoi sot një analizë të librit “The Albanian Files”, ku vetë arkitektët rrëfejnë se si u kontaktuan nga zyra e Kryeministrit, se si zhvilluesit që zgjedhin “arkitektët e tij” marrin leje, dhe se si në Shqipëri gjejnë një “liri” që në vendet e tyre do ishte e pamundur. Wainwright i lidh këto me ndryshimet në ligjin e 2024 për Zona të Mbrojtura, kritikat e BE-së dhe ngre një sërë pyetjesh për burimin e parave që i ka dhënë këtë hov sektorit të ndërtimit.

    Artikulli citon hulumtimin për lidhjet mes hetimeve të SPAK me projektet e listuara në Albanian Files. Në një shkrim të vitit 2022, Wainwright e nis historinë me kullën në formë koke të Skënderbeut në qendër të Tiranës, për të treguar lidhjen midis shembjes së vilave historike gjatë kohës së pandemisë me përgjimet e mafies italiane mbi rrokaqiejt e Tiranës.

    Reklamë

    ***

    * Përshtatur në shqip nga “The Gurdian” | Lexo këtu artikullin origjinal

    Rreth 60 studio prestigjioze arkitekture nga e gjithë bota kanë propozuar 500 projekte të bujshme në Shqipëri, duke shkaktuar zemërim dhe protesta. Tashmë, këto projekte janë përmbledhur në një libër prej 800 faqesh, të cilin disa e cilësojnë si “provë komprometuese”.

    Vjeshtën e kaluar, isha ulur në një kafene në Nju Jork me një arkitekt të njohur, kur telefoni i tij nuk pushonte së dridhuri nga mesazhet. Më në fund, ai i kontrolloi dhe qeshi. “Oh, grupi i bisedave Ushtria e Arkitekturës Shqiptare po zien sërish”, tha ai. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne”.

    Edi ishte Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që prej vitit 2013, i cili ka udhëhequr transformimin e shpejtë të vendit ish-komunist përmes një sërë projektesh madhështore ndërtimi. Në Tiranë po ngrihen kulla me forma të përdredhura, krahas hapësirave publike që kanë fituar çmime ndërkombëtare, resorteve mbresëlënëse përgjatë bregdetit dhe shumë projekteve të tjera spektakolare që pritet të realizohen. Të gjitha këto janë përmbledhur tashmë në një libër të ri voluminoz, The Albanian Files.

    Siç duket, transformimi i Shqipërisë koordinohet pjesërisht përmes një grupi në ëhatsApp, të quajtur shkurt Albanian ArchArmy (Ushtria Shqiptare e Arkitekturës), ku bëjnë pjesë disa nga arkitektët më të famshëm në botë.

    Grupi shërben si një hapësirë ku ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri, i cili luan edhe rolin e një patroni të arkitekturës, mbulohet me lavdërime për guximin dhe vizionin e tij. Arkitekti nga Nju Jorku e përshkruan këtë marrëdhënie sikur të ishte një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe starkitektët e botës mblidhen për të ardhur në ndihmë, duke sjellë projektet e tyre të guximshme.

    Po të shikosh me kujdes, mund të dallosh madje edhe shqiponjën dykrenare shqiptare të projektuar në qiell.

    Plani i zhvillimit të portit të Sarandës nga XDGA, paraqitur në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers
    Plani i zhvillimit të portit të Sarandës nga XDGA, paraqitur në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers

    Grupi i WhatsApp-it mund të jetë konfidencial, por The Albanian Files është gjëja më e afërt me të. Është një dokument i jashtëzakonshëm, si për nga ajo që synon të tregojë, ashtu edhe për ato që zbulon pa dashje. Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga prapaskenat” e një procesi që “po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”.

    Është një katalog mbresëlënës ëndrrash, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture (dhe asnjë e vetme shqiptare) paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.

    Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh është një dosje dëshmish.

    Ata i referohen mungesës së transparencës në procesin e vendimmarrjes, shkatërrimit të trashëgimisë, dëbimeve me forcë, cenimit të peizazheve të mbrojtura, si edhe rolit të industrisë së ndërtimit në Shqipëri në pastrimin e parave të krimit të organizuar.

    Publikimi përmban dëshmi të shumta të drejtpërdrejta nga arkitektët, të cilët dokumentojnë përvojat e tyre, ndërsa një deputet i opozitës e ka cilësuar librin si “prova e pakundërshtueshme” (smoking gun), megjithëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët janë përfshirë në ndonjë veprim të paligjshëm.

    Rama ka të drejtë në një pikë: askush nuk e pa të ardhmen që po vinte. Shumica e projekteve të paraqitura në faqet e librit janë të panjohura për publikun vendas, i cili ka reaguar me zemërim.

    “Starkitektë, shkoni në shtëpi!” – lexohej në një prej pankartave në një protestë të zhurmshme në qershor, përpara një salle në Tiranë, ku ishin mbledhur shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër për një aktivitet ekskluziv, për të festuar punën e tyre dhe për të promovuar botimin. “Ku është publiku?”, shkruhej në një tjetër.

    Biletat për festivalin e arkitekturës, të titulluar “Bukë e Zemër” kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është 700 euro. Aktiviteti u zhvillua në një moment të tensionuar, vetëm pak javë pasi në mbarë vendin shpërthyen protesta masive kundër planeve shumë-miliardëshe për shndërrimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit aty pranë në një resort luksoz, të mbështetur nga familja Trump.

    Të pagëzuara si “revolucioni i flamingove”, në referencë ndaj habitateve të brishta që, sipas kritikëve, do të dëmtohen nga projekti, protestat tashmë kanë vijuar për më shumë se 120 ditë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e Ramës janë bërë gjithnjë e më të forta. Arkitektura e ka gjetur veten papritur në shënjestër të protestave.

    “Është sikur të jetosh në një mbretëri autokratike,” thotë Lorin Kadiu, drejtor i Citizens.al, një platformë investigative që prej vitit 2018 ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri. “Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e transparencës, por edhe për faktin se të gjithë ne duhet t’u nënshtrohemi shijeve estetike të një personi të vetëm. I gjithë vendi duhet të pikturohet sipas mënyrës që ai dëshiron.”

    Rama, i cili është diplomuar për pikturë, u bë fillimisht i njohur si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, kur mori vëmendje ndërkombëtare me programin e tij për lyerjen me ngjyra të gjalla të blloqeve gri të stilit sovjetik. Ndryshimi i lirë dhe plot ngjyra funksionoi dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij jokonvencionale artistike.

    Por tani, shumë prej ish-mbështetësve të tij mendojnë se ambiciet e Ramës në fushën e arkitekturës kanë shkuar shumë larg. Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, dënonte “pastrimin artistik të politikës së buldozerëve” dhe u drejtonte arkitektëve të mbledhur pyetjen nëse ata e shijojnë “lirinë për të bërë këtu atë që do të ndalohej, kundërshtohej apo në një mënyrë tjetër do të bëhej e pamundur në vendet tuaja?”

    Nga arkitektët e kontaktuar nga The Guardian, vetëm njëri u përgjigj, duke thënë se nuk bëjnë në Shqipëri asgjë që nuk do t’u lejohej të bënin në një vend tjetër. Ai shtoi se “liria në Shqipëri është padyshim joshëse dhe, për këtë arsye, përgjegjësia personale është më e madhe.”

    Siç shkruan Rama në mënyrë domethënëse në parathënien e The Albanian Files, arkitektët tërhiqen nga puna në Shqipëri për shkak të “lirisë nga ‘jo’-ja në të gjitha format e saj”.

    Faqet e librit janë të mbushura me vizione për vija bregdetare ende të paprekura, pyje të gjelbëruara, duna dhe laguna të virgjëra. Në Gjipe, një gji që shumëkush e konsideron plazhin e fundit të paprekur në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel me fasadë xhami pasqyruese që do të kapërcente grykën, “si një xhevahir në bregdet”.

    Ky projekt vjen menjëherë pas kullës që studioja ka projektuar në Tiranë, në formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë (e cila, çuditërisht, ngjan shumë edhe me Ramën).

    Në zonën e mbrojtur të dunave në Ranën e Hedhun, arkitekti i mirënjohur portugez Álvaro Siza ka hartuar masterplanin për një kompleks të ndërtuar në kodër, me teleferik dhe një kullë shumëkatëshe pranë plazhit.

    Disa faqe më tej, mjeshtri zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash prej betoni, që ngrihen nga rëra dhe janë të mbushura me dritare që të kujtojnë frëngjitë mbrojtëse. Të duket sikur po përgatitet të zmbrapsë një pushtim nga deti.

    Transformimi luksoz i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentinas të jahteve luksoze, Luca Dini (misioni i studios: “të mahnisë edhe më kërkuesit”). Ai paraqet një udhëtim të ilustruar përmes 17 projekteve të tij, mes tyre Life Marina Complex , i shtrirë përgjatë shtatë kilometrave vijë bregdetare të paprekur pranë Sarandës, dhe resorti Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron pezull mbi shkëmbinj, si një tjetër postë vrojtimi ushtarak.

    Gjithçka i afrohet parodisë kur ilustrimet e tij në stilin e komikëve përfundojnë me një super-jaht që fluturon mbi një panoramë urbane, ndërsa vetë projektuesi shpall nga kuverta: “[ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin.”

    Ilustrime në stilin e komikëve. Pjesë nga projektet e Luca Dinit në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers
    Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve të dorëzonin vetë tekstet e tyre dhe ato të bien në sy për sinqeritetin e tyre. Në disa momente, leximi të jep përshtypjen e një regjistrimi të drejtpërdrejtë të një bisede.

    “Meqë nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi kujdesen shumë pak për kontekstin, ne detyrohemi t’i mendojmë gjërat përmes vlerave tona,” shkruan arkitekti me bazë në Berlin, Sam Chermayeff.

    Ai rrëfen përvojën “vërtet të çmendur” të punës në Shqipëri, përfshirë mënyrën se si, krejt papritur, u telefonua nga një prej bashkëpunëtorëve të Ramës dhe shumë shpejt iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45,000 metrash katrorë- jo pak për një arkitekt që njihet më shumë për projektet eksperimentale të kuzhinave.

    “Sigurisht që pranova,” shton ai, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte.”

    I kontaktuar për koment, Chermayeff u përgjigj: “Unë u bëj klientëve shqiptarë të njëjtat pyetje që u bëj klientëve në çdo vend tjetër dhe marr të njëjtat garanci”, duke shtuar se, “ashtu si në Gjermani apo në SHBA, vërtet nuk di më shumë nga sa më thuhet” dhe se nuk punon në zona të mbrojtura ose pranë tyre. “Nuk bëj asgjë,” shtoi ai, “që nuk do ta bëja edhe në një vend tjetër.”

    Arkitekti austriak Chris Precht tregon se si u kontaktua në Instagram nga vetë Rama, “duke e pyetur nëse do të ishte i interesuar të punonte në Shqipëri”. Tani ai ka 29 projekte në emër të tij, mes tyre një “Kopsht të Edenit” me vlerë 4 milionë euro, i ndërtuar në oborrin e vetë zyrës së Kryeministrit.

    “Është një realitet i paimagjinueshëm,” thotë grupimi i arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë Arkitektët Shqiptarë, i cili ka krijuar një bazë të dhënash online me të gjitha projektet — të publikuara në shqip, ndryshe nga libri. “Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese.”

    Arkitektët e huaj e përshkruajnë ndryshe këtë proces. “Rama nuk i përzgjedh vetë arkitektët, as nuk ua cakton projektet,” më thotë një anëtar i grupit ArchArmy. “Por ai i lidh ata me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse këta të fundit zgjedhin një nga arkitektët e tij, do të marrin lejen për të ndërtuar atë që duan.”

    Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në një intervistë të tensionuar për CNN në qershor, ai i cilësoi pretendimet për korrupsion si “lajme të rreme”.

    Ai ka këmbëngulur prej kohësh se protestat më të gjera janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin. “Po të mos ishte Jared Kushner, askujt nuk do t’i bëhej vonë për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë kjo urrejtje ndaj Trumpit ajo që krijon gjithë këtë vëmendje të imtësishme,” tha ai.

    E kontaktuar nga The Guardian, zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i cilësoi akuzat si “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”. Gjatë një fjalimi këtë javë, me rastin e shpalljes së konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë plotësisht të lirë”, se “pala shqiptare është në pakicë” dhe se “nuk ka kurrë orientim apo ndikim” mbi jurinë. Ai shtoi se sot Shqipëria është “universiteti” më i madh i hapur i arkitekturës, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.

    Nëntitulli i librit është “Liria dhe Arkitektura”, dhe shumë prej projekteve të paraqitura japin përshtypjen se arkitektëve u është dhënë dorë e lirë. “Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese,” shkruan arkitekti belg Xaveer De Geyter, krahas propozimit të tij për një kompleks prej tre kullash gjigante në formë M-je në portin e Sarandës , “duke krijuar një shkallë lirie që ndonjëherë na lë me djersë të ftohta.”

    Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson procesin e lejeve të ndërtimit në Shqipëri si “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” se në vende të tjera, i nxitur nga “një vizion i qartë që vjen nga kryeministri”. Edhe arkitekti portugez Manuel Aires Mateus pajtohet: “Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë.”

    Ndjesia e fortë e emocionit që sjell ndërtimi mbi terren të paprekur është gjithashtu e dukshme. Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin që përjetoi teksa fluturonte me helikopter mbi Shqipëri. “M’u duk shumë emocionuese,” shkruan ai, “pasi pjesa më e madhe e natyrës është ende e paprekur.” Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një ‘tokë kaq të virgjër’”. Arkitektja me origjinë indiane, me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “pa barrën e trashëgimisë” së Evropës dhe vendeve të tjera “të zhvilluara”.

    Kundoo po punon për masterplanin e një “vendbanimi laboratorik” për 50,000 banorë në parkun kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta. Një projekt i tillë është bërë i mundur vetëm falë një ligji të diskutueshëm të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura — një mundësi nga e cila përfiton edhe projekti i mbështetur nga familja Trump në Zvërnec.

    Nuk ka asnjë pretendim se ndonjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull po shkel ligjin.

    “Zhvilluesit janë me nxitim,” thotë Kadiu. “Ka një garë për të ndërtuar sa më shumë që të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”

    Presioni po rritet. Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregullore më pak kufizuese mbeten një pengesë. Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015, i cili u jep trajtim të privilegjuar “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar, i cili i cilësoi ato si të papajtueshme me standardet e BE-së.

    Një rezolutë e Parlamentit Evropian në qershor të këtij viti “shprehu shqetësim të thellë” dhe bëri thirrje për një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” brenda zonave të mbrojtura. Rama vijon t’i mbrojë të dyja ligjet si politika pragmatike dhe modernizuese, të cilat synojnë të krijojnë një ekuilibër mes ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik me vlerë të lartë.

    Përtej frikës për mjedisin, si edhe proceseve jo transparente të lejeve dhe prokurimeve, mbetet edhe një pyetje tjetër thelbësore: si mundet një nga vendet më të varfra të Evropës të përballojë ndërtimin e këtyre projekteve ekstravagante? Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë marramendëse, por pa një rritje të ngjashme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat. Kjo ka bërë që kritikët të dyshojnë për përfshirjen e parave me origjinë të dyshimtë.

    Global Initiative Against Transnational Organized Crime e identifikon sektorin e pasurive të paluajtshme dhe atë të turizmit në Shqipëri si fusha të rëndësishme për pastrimin e parave, duke vënë në dukje se sektori i ndërtimit është “infiltruar thellësisht nga fonde të paligjshme”. Në një raport të vitit 2020, organizata vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë tre viteve të mëparshme.

    Siç raportova në vitin 2022, përgjimet e rrjedhura në media zbuluan persona të lidhur me mafien italiane duke diskutuar se bumi i ndërtimeve të larta në Tiranë përbënte një mundësi të artë për pastrimin e parave të tyre. Çmimet e ndërtimit prej rreth 500 euro për metër katror dukeshin modeste në krahasim me çmimet e shitjes që arrinin deri në 4,000 euro për metër katror.

    SPAK-u, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, po shënon gjithashtu përparim. Në qershor, ajo sekuestroi pasuri me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës. Po në të njëjtin muaj, Pëllumb Gjoka, i cili dikur ishte shpallur “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe kishte marrë miratimin për të ndërtuar një resort prej 52 milionë eurosh në bregdet, u dënua me burg për porositjen e vrasjeve të lidhura me botën e krimit.

    Hulumtimi i Citizens.al tregon se disa prej projekteve të përfshira në The Albanian Files janë të lidhura me hetime në vijim nga SPAK-u (asnjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull nuk është i përfshirë në këto hetime), në të cilat pretendohet se kapitali kriminal është kanalizuar përmes kompanive guackë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Më shumë se 40% e projekteve në libër nuk tregojnë as emrin e klientit, duke ngritur për shumëkënd pyetjen: pse gjithë kjo mungesë transparence?

    Një ish-anëtar i ArchArmy shpreh keqardhje për mënyrën se si kanë përfunduar gjërat. “Ashtu si të tjerët, u bashkova me bindjen e sinqertë se kjo mund të ishte një ndryshim pozitiv për vendin,” më thotë ai/ajo. “Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte ta shkatërronte këtë proces. Është më mirë të përfshihen disa arkitektë të mirë për t’u siguruar që rezultati të jetë të paktën i denjë, sesa njerëzit të ndërtojnë apartamente gjenerike përgjatë bregdetit, pa asnjë kontroll.” Arkitekti thotë se u tërhoq pasi ishte pjesë e jurisë së një konkursi që “nuk i dukej demokratik”, si edhe sepse çështjet që lidhen me pronësinë e tokës “i dukeshin gjithmonë shumë të paqarta”.

    Ata shtojnë: “Rama ende beson fort se po bën gjënë e duhur për vendin. Ky është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je një udhëheqës dashamirës, por qëndron shumë gjatë në pushtet.”

    Kjo ide përsëritet edhe nga një prej kontribuesve më zbulues të librit. Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i drejton një letër të hapur Ramës – e menduar si një parodi, por humori i tij duket “i lodhur”.

    “Duke pasur parasysh statusin e pandryshuar të Shqipërisë si një mecenate e ndritur e arkitekturës,” shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju … do të vazhdonit të ishit president i përjetshëm – ndoshta edhe mbret.”

    Ai shton: “Në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?”

    Reklamë
    Ndaj. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link
    Reklamë eDigital

    Të Ngjashme

    Aktualitet

    Rama i shkel sërish syrin Erdoganit: Mos e cilësoni Turqinë si Rusia….

    03.10.2026
    Aktualitet

    Rama sfidon BE-në për Ukrainën: Premtimet për anëtarësimin janë gënjeshtër…

    03.10.2026
    Aktualitet

    2.36 miliardë euro për 4iG, kompaninën mëmë të One Albania: Kontrata satelitore që po trondit Hungarinë

    03.10.2026
    Aktualitet

    Mullinjtë e erës pushtojnë Pukën! Banorët kundër parqeve eolike

    03.10.2026
    Aktualitet

    Ardi Veliu, Ron Yeffet dhe Arjeta Puca! Fuçia e barutit që pritet të shpërthehet nga SPAK

    03.10.2026
    Aktualitet

    ”Kam frikë…”/ Zbardhen mesazhet tronditëse të Xhuana Nikollaj para se t’i jepte fund jetës

    03.10.2026
    Shto një koment
    Komentet Cancel Reply

    Të Fundit

    iPhone me metal të lëngshëm: Modeli më i shtrenjtë i palosshëm që arrin 19,000 dollarë

    03.10.2026

    Përmbysje historike! Benzina bie nën 50% në mbarë botën

    03.10.2026

    U vranë në një ceremoni magjie të zezë…zhdukja misterioze e çiftit britanik në Afrikën e Jugut

    03.10.2026

    Rama i shkel sërish syrin Erdoganit: Mos e cilësoni Turqinë si Rusia….

    03.10.2026

    Rama sfidon BE-në për Ukrainën: Premtimet për anëtarësimin janë gënjeshtër…

    03.10.2026
    Më të lexuarat

    Ilir Gjoni merr drejtimin e SHISH? Pritet firma

    Aktualitet Nga InfoNews28.09.20260

    TIRANË – Pas largimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, në…

    AMP zbarkon në Qafshtamë! Zbulon parcela me kanabis, kultivuesit qëllojnë me armë

    29.09.2026

    Kokaina u hëngri kokën 6 shqiptarëve në Amerikën e Jugut

    30.09.2026

    “O Mand Duka si të kam…Tao jam, më duhet një 100-çe Bitcoin”/ Si u zbulua skema e dy të rinjve.

    28.09.2026

    10 minuta që tronditën Greqinë! Plani i çmendur i arratisjes me helikopter, si doli Alekt Rizai nga Korydallos

    28.09.2026
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Instagram

    InfoNews.al është një portal informativ i pavarur dhe bashkëkohor, i dedikuar për të sjellë lajmet më të rëndësishme dhe të verifikuara për publikun shqiptar dhe më gjerë.

    Me një strukturë të qartë dhe përmbajtje të përditësuar në kohë reale, InfoNews.al ofron lexuesve një pasqyrë të plotë të ngjarjeve më të fundit, analizave të thelluara dhe zhvillimeve globale.

    Whatsapp: +355 69 792 4329
    Email:
     redaksia@infonews.al

    Facebook Instagram
    © 2026 InfoNews. Zhvilluar nga eDigital.al

    Shkruaj më sipër dhe shtyp Enter për të kërkuar. Shtyp Esc për të anulluar kërkimin.