Zhdukja misterioze e një çifti të moshuar britanikë në Afrikën e Jugut ka marrë një dimension të ri , me vajzën e tyre që pretendon se prindërit e saj u vranë në një ritual të magjisë së zezë dhe paralajmëron se ata që janë përgjegjës mund të sulmojnë përsëri.
Anthony “Tony” Dinnis, 73 vjeç, dhe gruaja e tij Gillian, 78 vjeç, u zhdukën në gusht 2023 nga shtëpia e tyre e izoluar në zonën Middlerus të KwaZulu-Natal. Që atëherë nuk është gjetur asnjë gjurmë e tyre dhe ata mbeten zyrtarisht të zhdukur.
Vajza e tyre, Kate Anderson, i tha gazetës Times se beson që prindërit e saj u rrëmbyen, u vranë dhe u gjymtuan në mënyrë që pjesët e trupit të tyre të shiten për t’u përdorur në ritualet “mutti”, një formë e shërimit tradicional dhe praktikës rituale që, në shumicën dërrmuese të rasteve, përdor materiale bimore ose shtazore; megjithatë, në disa raste penale, kjo është lidhur me përdorimin e paligjshëm të organeve njerëzore.
Ditari i ndaluar dhe kërkesa për shpërblim/ zhdukja misterioze e çiftit britanik në Afrikën e Jugut
Sipas Andersonit, ditari i babait të saj mbaron të dielën, më 27 gusht 2023. Çifti u raportua i zhdukur të nesërmen.
Nuk kishte shenja të dukshme të ndonjë përleshjeje në shtëpi, por bastuni i Gillianit ishte lënë aty, duke e bërë familjen të dyshonte se gruaja e moshuar ishte larguar nga shtëpia kundër vullnetit të saj.
Rreth një javë më vonë, familja mori një kërkesë për shpërblim prej dy milionë randësh në celularin e Gillian. Shuma u ul në mënyrë drastike në 50,000 rand. Por kur vajza e çiftit kërkoi një foto si provë se prindërit e saj ishin gjallë, nuk pati përgjigje.
Arrestimi i kopshtarit dhe rrëfimi që dështoi
Hetimi u përqendrua te një kopshtar, i cili sipas familjes ishte personi i fundit që e pa çiftin.
Policia më vonë e gjeti atë në një kishë lokale, ku dyshohet se po përdorte kartën SIM të Gillian në telefonin e tij celular. Ai u arrestua së bashku me një burrë të dytë.Gjatë hetimit policor, kopshtari dyshohet se rrëfeu se ishte një nga tre burrat që rrëmbyen çiftin dhe se viktimat u vranë, ndërsa veshët dhe gishtat e tyre u hoqën për t’u shitur si “muti” te një shërues ose praktikues ritualesh në Johannesburg.
Megjithatë, ky rrëfim nuk çoi në një dënim. I dyshuari pretendoi se ishte rrahur nga oficerët e policisë për të rrëfyer, dhe një gjykatë vendosi që deklarata nuk mund të pranohej si e vlefshme.
Në qershor 2024, akuzat kundër dy burrave u rrëzuan për shkak të provave të pamjaftueshme, ndërsa një i dyshuar i tretë nuk u identifikua kurrë.
“Ata ikën dhe mund ta bëjnë përsëri”
Kate Anderson tani thotë se ka frikë se autorët e krimit mbeten të lirë dhe se mund të përsërisin krime të ngjashme.

