Arrestohen dhe ekzekutohen masat e sigurisë për dy persona në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t. Në pranga ka përfunduar Fatjon Kalluci, shef pranë Laboratorit Shkencor të Policisë, ndërsa është arrestuar edhe Embro Sulejmani, pronar biznesi në Durrës.
Paralelisht me arrestimet, kontrolle të tjera janë zhvilluar në Durrës, në zonën e Shkozetit, ndërsa aksioni i SPAK dhe BKH-së është shtrirë edhe në banesa dhe ambiente të personave të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me hetimin.
Spiune te bandat…/ Zbardhen akuzat ndaj Drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni
Në qendër të hetimeve është edhe ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës dyshohet për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Nxjerrje e sekretit”. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Masa nuk është ekzekutuar pasi Hyseni ndodhet në Baku.
Hyseni dyshohet për lidhje me biznesmenin Ergys Agasi, të cilin hetuesit e dyshojnë si drejtues të një grupi kriminal që vepronte brenda AKSHI-t. Hetimi po verifikon gjithashtu kontaktet e Agasit me zyrtarë të lartë të institucioneve të sigurisë dhe administratës.
Në kuadër të të njëjtit aksion, kontrolle janë kryer edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Kontrollet nuk janë kufizuar vetëm tek ish-kreu i Policisë, por janë shtrirë edhe tek persona të tjerë, ndërsa kontrollet në Durrës, veçanërisht në zonën e Shkozetit, përbëjnë një tjetër zhvillim të aksionit.
Sipas të dhënave të administruara nga hetuesit, Proda dhe Hyseni dyshohet se kanë takuar disa herë Ergys Agasin në zyrën e tij. Hetuesit po verifikojnë nëse gjatë këtyre kontakteve janë shkëmbyer informacione sensitive që lidhen me aktivitetin e institucioneve që ata drejtonin.
Në dosje është përfshirë edhe ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, i cili shoqëronte Agasin në momentin e arrestimit. Shpataraku drejtonte automjetin “Audi RS6” me të cilin po udhëtonte Agasi kur u ndalua nga Policia në zonën e Plepave, në Durrës.
Shpataraku ishte shkarkuar më herët nga Policia dhe më 6 gusht ishte shpallur në kërkim pas një konflikti në një hotel në Dhërmi, ku dyshohet se kishte kërcënuar punonjësit.
Hetimi është drejtuar nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani dhe një pjesë e provave dyshohet se është siguruar nga këqyrja e telefonave të sekuestruar pas arrestimit të Ergys Agasit. Nga të dhënat e pajisjeve elektronike, hetuesit dyshohet se kanë identifikuar kontakte dhe persona të tjerë që po verifikohen.
Aksioni vijon në disa pika, ndërsa pritet që SPAK të dalë me një njoftim zyrtar për masat e ekzekutuara, kontrollet dhe rezultatet e operacionit.

