Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dyshohet për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Nxjerrje e sekretit”, në kuadër të një fraksioni të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t dhe biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht pas disa muajsh në kërkim.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. Masa, megjithatë, nuk është ekzekutuar pasi Hyseni ndodhet në Baku.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Hyseni ka pasur lidhje me Ergys Agasin, të cilin autoritetet e dyshojnë si drejtues të një grupi kriminal që vepronte brenda AKSHI-t. Në kuadër të hetimit, BKH dhe SPAK kanë mbledhur të dhëna që po verifikohen për kontakte dhe takime të zyrtarëve të lartë me Agasin.
Paralelisht, me urdhër të SPAK-ut, kontrolle janë zhvilluar në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Aksioni nuk është kufizuar vetëm tek ish-kreu i Policisë, pasi kontrolle janë kryer edhe në banesat e personave të tjerë, përfshirë zyrtarë të niveleve të larta të administratës.
Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të hetimit, Proda dhe Hyseni dyshohet se kanë takuar disa herë Ergys Agasin në zyrën e tij. Hetuesit dyshojnë se këto kontakte mund të kenë shërbyer edhe për përcjelljen e informacioneve sensitive që lidhen me sektorët që ata drejtonin. Këto janë aktualisht dyshime që po verifikohen nga organet e drejtësisë.
Spiune te bandat…/ Zbardhen akuzat ndaj Drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni
Hetimet drejtohen nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, ndërsa kontrollet synojnë gjetjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rolit të personave të tjerë të përfshirë në dosje.
Në hetim është përfshirë edhe ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili shoqëronte Ergys Agasin në momentin e arrestimit. Shpataraku drejtonte automjetin “Audi RS6” me të cilin po udhëtonte Agasi kur u ndalua nga forcat e Policisë në zonën e Plepave, në Durrës.
Shpataraku ishte shkarkuar më herët nga Policia dhe, më 6 gusht, ishte shpallur në kërkim pas një konflikti në një hotel në Dhërmi, ku dyshohet se kishte kërcënuar punonjësit.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit dyshohet se ka nisur nga këqyrja e telefonave të sekuestruar pas arrestimit të Ergys Agasit. Nga të dhënat e përftuara prej pajisjeve elektronike, hetuesit dyshohet se kanë identifikuar persona të tjerë dhe kontakte që po verifikohen.
Ndërkohë, lidhur me Hysenin, në vëmendje të hetuesve janë edhe të dhënat mbi aktivitetin e saj të mëparshëm në Kosovë. Para emërimit në krye të SHISH-it, ajo drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës dhe u shkarkua nga detyra me vendim të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, në një zhvillim të shoqëruar me raportime dhe pretendime për keqpërdorim të informacionit sekret. Këto pretendime i përkasin periudhës së saj në Kosovë dhe nuk përbëjnë në vetvete prova për akuzat që po hetohen aktualisht në Shqipëri.
Kontrollet vijojnë dhe ende nuk janë bërë publike të gjitha detajet mbi personat e përfshirë dhe objektin e plotë të hetimit.
SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar për zhvillimet dhe rezultatet e aksionit.


1 Koment
Pingback: Dosja Agasi/ Arestohen edhe Fatjon Kalluci dhe Embro Sulejmani, kontrolle në Shkozet - InfoNews Albania