Një për një në zyrë, denoncimi: Punonjësit e Degës Doganore Tiranë po detyrohet t’u bëjnë “Like” Petrit Malajt dhe Besmir Bejas
Një denoncim i ardhur në redaksinë tonë nga një punonjëse e Administratës Doganore ngre pretendime për një praktikë të pazakontë brenda Degës Doganore Tiranë.
Punonjësja, e cila kërkon të mbetet anonime, pretendon se punonjës të administratës po thirren njëri pas tjetrit në zyrë nga eprorët dhe po u komunikohet se duhet të reagojnë në rrjetet sociale ndaj postimeve të drejtuesve.
Sipas denoncimit, bëhet fjalë për LIKE dhe SHARE të postimeve të ministrit Petrit Malaj dhe drejtorit Besmir Beja në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera sociale.
Punonjësja pretendon se kërkesa u është paraqitur si një “porosi nga lart”, me argumentin se postimet e drejtuesve kanë pasur rënie të shikueshmërisë dhe se duhet të shtohen reagimet për të rritur angazhimin dhe ekspozimin e tyre në algoritmet e rrjeteve sociale.
“Problemi nuk është nëse një punonjës dëshiron vullnetarisht të pëlqejë një postim. Problemi është kur një punonjës thirret nga eprori i tij dhe i komunikohet se duhet të bëjë LIKE apo SHARE, duke iu thënë se kjo është një ‘porosi nga lart’”, thuhet në denoncim.
Sipas autores së denoncimit, kjo situatë merr një tjetër dimension për shkak të marrëdhënies hierarkike në administratë, pasi një kërkesë e bërë nga eprori mund të perceptohet nga punonjësi si një detyrim, edhe nëse nuk shoqërohet me një urdhër zyrtar me shkrim.
Denoncimi ngre gjithashtu pretendimin se kjo praktikë lidhet me një takim të zhvilluar nga drejtori Besmir Beja me drejtues të tjerë në Pallatin e Kongreseve të premten e kaluar, në kuadër të “Pranisë Besnike”. Kjo pjesë e pretendimit kërkon verifikim të mëtejshëm.
Punonjësja kërkon që media të verifikojë nëse reagimet në postimet e drejtuesve janë rezultat i angazhimit spontan të qytetarëve dhe punonjësve apo nëse pas tyre qëndron një mobilizim i organizuar brenda administratës publike.
Në denoncim sugjerohet gjithashtu që të analizohen profilet që reagojnë në mënyrë të përsëritur në postimet e drejtuesve, për të parë nëse një pjesë e tyre janë punonjës të administratës publike.
Pretendimet e bëra në këtë denoncim nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia. Për këtë arsye, çdo përgjegjësi konkrete apo shkelje e mundshme duhet të përcaktohet vetëm pas verifikimit të dokumenteve, komunikimeve dhe dëshmive përkatëse.
Nëse konfirmohet, çështja do të ngrejë pikëpyetje mbi përdorimin e marrëdhënieve hierarkike në administratën publike dhe mbi kërkesat që punonjësit të përdorin profilet e tyre personale në rrjetet sociale për qëllime që lidhen me komunikimin publik të drejtuesve.
Denoncimi i Plote:
E nderuar redaksi,
Po ju drejtohem në mënyrë anonime si punonjëse prej kohësh në administratën doganore, në Degën Doganore Tiranë. Ju lutem të ruani anonimatit tim.
Po e bëj këtë denoncim sepse ajo që po ndodh brenda institucionit, sipas asaj që po u komunikohet punonjësve, nuk lidhet me detyrat normale të administratës doganore, por me përdorimin e punonjësve për të rritur reagimet në rrjetet sociale ndaj postimeve të drejtuesve.
Kryetari i degës doganore Tiranë po merr punonjësit në zyrë, një nga një, dhe u komunikon se ka ardhur një porosi “nga lart”: punonjësit duhet të bëjnë LIKE dhe SHARE postimeve të ministrit Petrit Malaj dhe drejtorit Besmir Beja në Facebook, Instagram dhe rrjete të tjera sociale.
Sipas asaj që na është komunikuar, arsyeja është se postimeve të drejtuesve u ka rënë shikueshmëria dhe duhet të shtohen LIKE-t, SHARE-t dhe reagimet, në mënyrë që aktiviteti dhe arritjet e tyre të marrin më shumë vëmendje në rrjetet sociale dhe të shkojnë më lart në algoritëm. Ky vendim është marrë pas retreat-it që drejtori Besmir Beja pati me drejtorët në Pallatin e Kongreseve të premten e kaluar, në kuadër të Pranisë Besnike.
Punonjës të administratës publike po thirren në zyrë dhe po u kërkohet të përdorin profilet e tyre personale për të rritur shikueshmërinë e postimeve të drejtuesve.
Problemi nuk është nëse një punonjës dëshiron vullnetarisht të pëlqejë një postim. Problemi është kur një punonjës thirret nga eprori i tij dhe i komunikohet se duhet të bëjë LIKE apo SHARE, duke iu thënë se kjo është një “porosi nga lart”.
Në një marrëdhënie hierarkike pune, një kërkesë e tillë nuk perceptohet më thjesht si një zgjedhje personale. Kur eprori të thërret në zyrë dhe të thotë “e kemi urdhër nga lart”, mesazhi është i qartë.
Nuk po themi që çdo LIKE apo koment i bërë nga një punonjës është automatikisht shkelje. Po flasim për diçka tjetër: për kërkesa të bëra nga eprorët, për thirrje në zyrë, komunikime në telefon apo grupe WhatsApp-i dhe për pritshmëri që punonjësi duhet të reagojë në postimet e drejtuesve.
Me një vëzhgim të thjeshtë të profileve në rrjetet sociale të Petrit Malajt, Belinda Ballukut apo Besmir Bejes, një media mund të analizojë sasinë e LIKE-ve, SHARE-ve dhe komenteve që shoqërojnë postimet e tyre dhe të verifikojë nëse kemi të bëjmë me angazhim spontan apo me një mobilizim të organizuar.
Mund të verifikohet sa prej personave që reagojnë janë punonjës të administratës publike, sa përsëriten në mënyrë sistematike në postime të ndryshme.
Është krijuar një garë e re brenda administratës: kush mbledh më shumë LIKE, kush bën më shumë SHARE dhe kush e ngre më lart postimin e drejtuesit në algoritmin e rrjeteve sociale.
Një lloj “aktivisti i ri” brenda administratës.
Doganat kanë punë reale për të bërë.
Ka kontrolle, procedura, biznese, mallra, deklarata, analiza risku, hetime, akciza dhe mijëra probleme që presin zgjidhje.
Punonjësit nuk kanë ardhur në Doganë për të rritur algoritmin e Facebook-ut apo Instagramit të drejtuesve. Kanë ardhur për të bërë detyrën për të cilën paguhen.
Për këtë arsye, kjo çështje meriton të verifikohet.
Kërkojmë vetëm të na lihet të bëjmë punën për të cilën paguhemi dhe të mos përdoren marrëdhëniet e varësisë në punë për të prodhuar LIKE, SHARE dhe duartrokitje virtuale për drejtuesit.
Ju lutem ta verifikoni këtë denoncim dhe, nëse rezulton i saktë, ta bëni publik.
Faleminderit dhe ju lutem ruajeni anonimatit tim.

