12 ditë pasi SPAK sekuestroi një tjetër vilë të fshehur në Palasë të Belinda Ballukut, ish-futbollisti i kombëtares Igli Tare është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme bashkë me avokatin e tij. Kjo është vila e dytë që iu sekuestrua Ballukut, të cilat SPAK dyshon se i kishte fshehur në emër të Tares. Ai po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për pastrim parash.
Vila e dytë e sekuestruar me urdhër të SPAK ndodhet në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Ajo ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me sipërfaqe totale 271,2 metra katrorë dhe dy garazhe, përkatësisht 20 dhe 40 metra katrorë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila dyshohet se është përfituar në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e cila u shpall fituese, së bashku me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milionë eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Më herët, SPAK kishte sekuestruar një tjetër vilë në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, gjithashtu të regjistruar në emër të Igli Tares. Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku e ka përfituar këtë pronë si ryshfet në këmbim të favorizimit të kompanisë së ndërtimit “Eurocol” në dy tenderë për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol-it, me vlerë mbi 1 milion euro, në kohën kur ajo drejtonte institucionin.

