Hetimi i nisur kryesisht nga SPAK lidhur me dyshimet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera është zgjeruar edhe më tej, pas aludimeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe municioneve përmes kompanisë “KAYO”.
Në kuadër të veprimeve hetimore, të cilat po kryhen me vendime të GJKKO-së, janë sekuestruar disa telefona celularë të personave të lidhur me çështjen. Sipas raportimeve mediatike, mes pajisjeve të sekuestruara ndodhet edhe telefoni i drejtorit të KAYO-s, Ardi Veliu.
Ardi Veliu, Ron Yeffet dhe Arjeta Puca
Skandali me trafik armësh, KAYO, TIMAK…kontrolle te Ron Yeffet dhe Ministria e Mbrojtjes
Në fokus të kontrolleve janë përfshirë gjithashtu Aleks Marku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, biznesmeni Ron Yeffet dhe biznesmenia Arjeta Puca. Pajisjet elektronike dhe materialet e marra gjatë kontrolleve pritet t’u nënshtrohen verifikimeve dhe ekspertizave nga hetuesit.
Kontrolle janë kryer edhe në ambiente të lidhura me biznesmenin Ron Yeffet, përfshirë vilën e tij në Pëllumbas, si dhe në ambientet e kompanisë TIMAK. Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente dhe materiale të tjera, të cilat do të analizohen në vijim të hetimit.
Nga lidhja Rama-Yefet te takimi në Monako/ Si ngrihet “skema KAYO” sipas Ahmetajt
Në të njëjtën kohë, hetuesit kanë ushtruar kontrolle në Ministrinë e Mbrojtjes, nga ku janë marrë një sërë dokumentesh. Në qendër të verifikimeve është edhe kompania KAYO, e cila është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është krijuar në kuadër të projekteve që lidhen me industrinë ushtarake.
Sipas të dhënave të bëra publike, KAYO ka krijuar struktura të përbashkëta biznesi me Ron Yeffet dhe Arjeta Pucën, me projekte që lidhen me prodhimin e automjeteve, municioneve dhe pajisjeve për nevojat e Forcave të Armatosura.
Edhe TIMAK është përfshirë në verifikimet e SPAK. Në audiot e publikuara nga Ahmetaj përmendet biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa në biseda referohen edhe dy persona të identifikuar si “Igor” dhe “Sergei”.
Ahmetaj ka pretenduar se komunikimet lidhen me një skemë të dyshuar për trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë. Në materialet audio përmenden KAYO dhe TIMAK, ndërsa bisedat referojnë edhe projekte të tjera ekonomike.
Kompania e Ron Yeffet me ortak KAYO/ Pse hesht Ermal Nufi për eksportin e armëve të AAT
Një pjesë e komunikimeve lidhet me krijimin e një kompanie të përbashkët, ku shteti shqiptar do të zotëronte 20 për qind të aksioneve, në kuadër të një projekti energjetik në Delvinë. Në një tjetër pjesë përmendet një skemë e ngjashme për sektorin e gazit në Vlorë, ndërsa referohen edhe kompani që do të krijoheshin në Shtetet e Bashkuara me partnerë ukrainas.
Pjesa më e debatueshme e audiove lidhet me referencat për armë dhe municione që dyshohet se do të prodhoheshin në Afrikë dhe më pas do të përfundonin në Shqipëri për paketim.
Të gjitha këto elemente janë aktualisht pjesë e verifikimeve të SPAK. Sekuestrimi i pajisjeve elektronike, dokumenteve dhe materialeve të tjera pritet t’u shërbejë hetuesve për të përcaktuar nëse pretendimet e bëra publike dhe lidhjet mes personave e kompanive kanë bazë faktike dhe nëse ka indicie për vepra penale.

